Programi mediatik Evropa Juglindore

Të gjitha vendet e Evropës Juglindore, pra vendet e ish Jugosllavisë, Bullgaria dhe Rumania, kanë shkuar mjaft përpara në zhvillimin e tyre. Megjithatë ato janë ende në proces transformimi politik dhe ekonomik, ndërsa një karakteristikë e përbashkët e tyre janë deficitet në zhvillimin e hapësirës mediatike. Në këtë kontekst Fondacioni “Konrad Adenauer” ka startuar “Programin Mediatik Evropa Juglindore” në kuadrin e promovimit të proceseve të demokratizimit. Zyra Rajonale e këtij Programi u hap në Sofje në janar 2007. Objektivat kryesore të Programit janë promovimi dhe zhvillimi në vijimësi i medieve si faktorë të demokratizimit, ku me prioritet është përmirësimi i rolit informativ dhe politiko-shoqëror të tyre. Programi ka ngritur dhe këto objektiva konkrete:

  1. Të rriten standardet etike të reportazheve
  2. Të ndihmohet trajnimi i reglamentuar i gazetarëve në mënyrë që të krijohen premisa për transmetimin me cilësi të lartë të informacionit, sidomos për fushat si politika, ekonomia, integrimi evropian, juridiksioni dhe mirëkuptimi ndëretnik
  3. Të rritet shkëmbimi i përvojës midis përfaqësuesve të medieve, midis shteteve të rajonit dhe gjithashtu midis tyre dhe Gjermanisë
  4. Të nxiten studimet e aplikuara mediatike si një disiplinë shkencore
  5. Të promovohet komunikimi politik ndërmjet partive që pranojnë parimet demokratike me qëllim që të shkëmbehen në mënyrë më të mirë të kapshme vlerësimet dhe thelbi i veprimeve

Për t’i realizuar këto objektiva ne promovojmë nisma për rritjen e kualifikimit të gazetarëve, gjithashtu organizojmë seminare dhe ndërveprojmë me këshillat e shtypit dhe organizata të gazetarëve. Veprimtaritë që organizojmë nuk fokusohen vetëm në një shtet dhe kanë karakter rajonal. Për të qenë sa më konkretë po sjellim një shembull nga praktika duke dhënë hollësi për seminaret si një aspekt të punës tonë. Në këto seminare trajtohen tema si:

  • Politika mediatike pas transformimeve të vitit 1989: si ka ecur zhvillimi vitet e fundit dhe si mund të përshkruhet gjendja aktuale? Cili është qëndrimi ndaj së kaluarës (i parë sidomos në aspektin e përvojës së dyfishtë i Gjermanisë në përballimin e diktaturës nacional-socialiste dhe diktaturës komuniste) ?
  • Funksionet mbikëqyrëse të medieve: Kuadri ligjor sa e garanton lirinë e gazetarisë? Sa është i “evropeizuar” legjislacioni për mediet? A ka përfaqësi të organizuara të interesave të medieve?
  • Impakti politik ndaj medieve shtetërore / publike dhe private të shkruara dhe audiovizive: Cilat janë mundësitë për të kufizuar impaktin politik ndaj medieve? Funksionet e medieve sa janë akseptuar nga shteti? Sa është garantuar aksesi i gazetarëve për informacionin publik?
  • Impakti ekonomik ndaj medieve shtetërore / publike dhe private të shkruara dhe audiovizive: Si zhvillohet ekonomia mediatike në kushtet e tregut? Privatizimi i medieve sa ka funksionuar? Cili është roli i investitorëve të huaj në media? Përqendrimi mediatik çfarë pasojash ka sjellë për diversitetin publicistik?
  • Parimet e etikës mediatike: Në ç’kushte mund të zhvillohet gazetaria përgjegjëse, kritike dhe e pavarur? Gazetarët në jetën e përditshme në ç’konflikte interesash ndeshen?
  • Në fushën e gazetarisë dhe komunikacionit a ka projekte rajonale?