Titujt

Analizë e programeve të partive politike

Çfarë vendi zë shëndetësia?

Duke marrë parasysh situatën e pandemisë Covid-19 në të gjithë botën, menaxhimin e saj që rezultoi të jetë më shumë një sfidë e sistemit qeverisës sesa e sistemit shëndetësor, deklaratat dhe kundërdeklaratat e partive politike në këtë drejtim, si dhe me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021 në vend, Fondacioni Konrad-Adenauer dhe shoqata “Together for Life” kanë realizuar një raport i cili analizon programet e gjashtë partive politike, duke u fokusuar veçanërisht tek pjesa që i kushtohet sektorit shëndetësor. Partitë e monitoruara janë tre partitë kryesore në vend: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe tre partitë që kandidojnë për herë të parë, por që vijnë me një potencial politik: Nisma Thurje, Bindja Demokratike dhe Lëvizja për Ndryshim.
​​​​​​​​​​​​​​ ​​​​​​​

Kjo analizë shërben për të kuptuar rëndësinë që ka shëndeti i popullatës për partitë politike që kërkojnë që të qeverisin vendin, të kuptohet nëse ka programe, platforma zhvilluese me vision, mision dhe strategji dhe nëse këto programe të prezantuara janë të zbatueshme apo propozimet për ndërhyrje dhe zhvillim të sistemit shëndetësor do të mbeten vetëm në letër në kuadër të premtimeve elektorale.

Nga këto gjashtë parti politike, rezulton se vetëm katër e kanë të ngarkuar të faqen zyrtare programin politik 2021-2024, konkretisht Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Lëvizja për Ndryshim, Nisma Thurje. Në këto katër parti ka zëra të programit për shëndetësinë. Partia Socialiste e ka prezantuar programin e saj 4-vjeçar në një konferencë, por nuk gjendet në faqen zyrtare të partisë. Shëndetësia përmendet, por nuk jepet në mënyrë të detajuar.

Partitë politike kanë dhënë premtime të ndryshme, por kanë edhe pika të përbashkëta, sikurse është reformimi i sistemit shëndetësor. Katër parti politike (PD, PS, LSI dhe NTH) bashkohen në: rimodelimin e financimit publik për shëndetësinë. Në daljet publike për programin e shëndetësisë të katra partitë flasin për autonomi spitalore, për rritjen e pagave të personelit mjekësor, për rritjen e cilësisë së shërbimit mjekësor ndaj pacientit.

Gjetjet e raportit:

Shëndetësia është pjesë e programeve politike të pesë partive, duke përjashtuar Bindjen Demokratike, e cila në prioritetet që ka publikuar në faqen zyrtare nuk përmend në asnjë moment shëndetësinë.

Pikat e plota të programit për shëndetësinë i ka publikuar: PD, LSI, NTH dhe LN. Partia Socialiste ka bërë një prezantim fragmentar në konferencën e prezantimit të programit dhe në takimet në terren.

Pesë partitë politike të përfshira në analizë (përveç Bindjes Demokratike) kanë një pikë të përbashkët: autonominë spitalore.

Të tre partitë e mëdha politike (PS, PD dhe LSI) duket se e kanë shëndetësinë prioritet të programeve të tyre politike, duke u përqendruar në tre shtylla kryesore: riorganizimin e sistemit shëndetësor, cilësinë e medikamenteve dhe investimet në shëndetin publik. Përgjithësisht, planet politike duken të paqarta sesi do të arrijnë reformimin e sistemit shëndetësor.

Në tre partitë e reja, vetëm NTH dhe LN kanë një program publik në përgjithësi, dhe kanë publikuar prioritetet për shëndetësinë në veçanti

Asnjëra nga partitë politike nuk ofron një strategji kombëtare veprimi për përballimin e situatës së pandemisë Covid-19 e cila pritet të vijojë pa një afat të caktuar.

Partia Socialiste ka përfshirë në pikat e veta programore ato projekte të cilat janë parashikuar në projekt buxhetet afatmesme për t’u realizuar në vitet në vazhdim.

Të gjitha partitë premtojnë reforma në sistemin shëndetësor, por nuk parashikohet në asnjë rast rritja e financimit për shëndetësinë, të paktën sa vendet e rajonit në raport me GDP/PBB-në.

Parashikohen investime në shëndetin publik dhe në zhvillimin e sistemit shëndetësor parësor, por nuk parashikohet krijimi i regjistrave të të dhënave për sëmundje jo infektive si një domosdoshmëri për statistika për planifikimet më të mira në të ardhmen në sistemin shëndetësor.
 

Rekomandime:

1.  Të bëhet transparent në faqen zyrtare të secilës parti programi qeverisës për 4-vjeçarin e ardhshëm 2021-2025.

2.  Të bëhet publik programi për shëndetësinë, ku secila pikë e programit të ketë edhe strategjinë e zhvillimit; se si do të arrihet reformimi, me çfarë komponentësh ligjore dhe financiare, si do të motivohet stafi mjekësor, si do të rritet numri i profesionistëve të mjekësisë, profesionistëve të specializuar në mbulimin e popullatës me shërbim mjekësor në rang vendi etj.

3.   Programet politike dhe veçanërisht pikat e programit të shëndetësisë që prekin personat me aftësi të kufizuara të jepen në gjuhën, mënyrat dhe mjetet e komunikimit më të përshtatshme për ta. Në faqet zyrtare të partive politike të jenë të aksesueshme programet e leximit për personat që kanë nevojë për shkrim të madh apo kontrast, si dhe gjuha e shenjave për personat që nuk dëgjojnë. Aksesueshmëria në informacionet e publikuara në faqet zyrtare do t’u mundësonte personave me aftësi të kufizuara të informoheshin dhe të merrnin pjesë në jetën politike dhe publike.

4.   Të gjitha pikat e programit për shëndetësinë të shoqërohen edhe me faturë financiare për të kuptuar nëse janë parashikuar kufizimet buxhetore dhe sesa të realizueshme këto reforma mund të jenë. Për shembull, gjatë zgjedhjeve politikanët shpallin politika ambicioze shëndetësore që nuk janë të realizueshme financiarisht ose administrativisht (në një periudhë afatshkurtër ose afatmesme).

5.   Partitë politike të shfrytëzojnë hapësirat mediatike për të bërë publike pikat e programit për shëndetësinë, duke argumentuar sesi preken të gjitha grupet e interesit, afatet kohore dhe mënyrën e realizimit të secilës pikë.

personi i kontaktit

Klaudja Zerva

Klaudja  Zerva bild

Koordinatore Projekti

Klaudja.Zerva@kas.de +355 4 555 03 79