Titujt

Komunikimi politik në epokën e medieve sociale

nga Dr. Dren Gërguri

Qëllimi i këtij libri është trajtimi i komunikimit politik në Kosovë në epokën digjitale, përkatësisht përdorimi i medieve sociale nga partitë politike në fushatë zgjedhore.

Studimi i komunikimit politik ka qenë vazhdimisht i lidhur ngushtë me mediet dhe me zhvillimin e tyre. Në dekadën e fundit fokusi ka kaluar te mediet sociale, për shkak të përdorimit të gjerë të tyre dhe, rrjedhimisht, edhe të ndikimit të tyre në proceset zgjedhore. Përqendrimi i akterëve politik në medie sociale i ka yshtë edhe studiuesit që të merren më dendur me mundësinë e efektit që mund të ketë media sociale në fushatë zgjedhore dhe në zgjedhje. Sikundër në shtetet më të zhvilluara, edhe në Kosovë, përdorimi i medieve sociale nga akterët politikë është në rritje. Por, siç konfirmohet në konkludimet e studiuesve të ndryshëm, që do të shkoqiten më tepër në kapitullin e tretë, mënyra e përdorimit të medieve sociale dhe, mbi të gjitha, qëllimi i përdorimit të tyre ndryshon nga shteti në shtet, ose edhe nga rajoni në rajon. Politikanët mëtojnë të shpërndajnë idetë e tyre dhe të fitojnë besimin e qytetarëve duke komunikuar drejtpërdrejt me ta nëpërmjet medieve sociale, Facebook apo Twitter. Ky lloj komunikimi ka përjashtuar tashmë rolin e madh të gazetarit në procesin e komunikimit politik dhe, njëherësh, i ka dhënë politikanit mjetin më të përshtatshëm për të shpërndarë një mesazh, pa frikën se mund t'i 'censurohet', apo t'i filtrohet ai mesazh nga politikat redaktoriale të radios, televizionit, gazetës, apo portalit. Facebook-u dhe Twitter-i e kanë shkrirë distancën që kishin politikani dhe qytetari. Në shikim të parë, kjo duket tejet pozitive, sepse shmangia e distancës mundëson një komunikim më të drejtpërdrejtë, më të shpejtë, më të shpeshtë, më të lehtë dhe, kësisoj, qytetarët, çdo herë mund t'i drejtohen me shqetësimet e tyre politikanit të cilin ata e shohin si faktor që mund t'ua zgjidh problemet. Por, historikisht, politika gjithëherë ka synuar ta ketë medien në dorë, me qëllimin që media të jetë në shërbim të saj dhe, që media ta përçojë mesazhin te publiku ashtu siç ajo, pra politika dëshiron dhe ashtu siç asaj i konvenon. Objekt i këtij studimi është përdorimi i medieve sociale nga partitë politike për komunikim politik me qytetarët, gjegjësisht me zgjedhësit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.