Titujt

Mendësia e qytetarëve rreth pyetjeve politike

Cilat janë pikëvështrimet e qytetarëve kosovarë për ndërlidhjen e shtetit me ekonominë? Cka mendojnë ata për liritë individuale, ideologjinë e partive politike në vend, pjesëmarrjen politike? Këto e shumë pyetje tjera janë pjesë e kësaj ankete të realizuar në bashkëpunim me partnerin tone PIPS.

Anketa ‘Mendësia e Qytetarëve Rreth Pyetjeve Politike’ është botuar për herë të parë nga Konrad Adenauer Stiftung (KAS) zyrja në Prishtinë dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS). Anketa bazohet mbi premisat e paanshmërisë, objektivitetit dhe validitetit në procesin e formulimit të pyetjeve, marrjes së të dhënave dhe analizimit dhe interpretimit të rezultateve. Anketa synon që të nxjerrë rezultate kredibile që do t’u hyjnë në punë të përfshirëve brenda kësaj fushe, pra partitë politike, vendimmarrësit, politikbërësit, shkollarët, analistët dhe të tjerë që e shohin këtë pjesë studimi me interes.

Rezultatet e anketës janë ndarë në dy pjesë: Pikëvështrimet për relacionin e shtetit me ekonominë dhe liritë individuale, si dhe Pikëvështrimet për politikën dhe pjesëmarrjen. Në pjesën e parë janë renditur pyetje për të kuptuar më mirë opinionet e respodentëve sa sa i gjerë duhet të jetë shteti, sidomos parë në raport me rolin e individit në shoqëri. Ky set i pyetjeve janë në njëfarë forme universale dhe përdoren zakonisht në anketa të ngjashme në kontekste të tjera. Në pjesën e dytë janë renditur pyetje që synojnë të hedhin dritë mbi qëndrimet e votuesve në raport me kontekstin politik në Kosovë, subjektet politike ekzistuese dhe pjesëmarrjen brenda procesit elektoral dhe jo vetëm. Pra, ky set i pyetjeve janë më shumë të përqëndruara në kontekstin lokal. Raporti vazhdon duke i renditur pyetjet e të dyja pjesëve, të shoqëruara me një përshkrim të shkurtër. Më pastaj, në seksionin e radhës raporti përqëndrohet në një analizë statistikore, ku prezantohet analiza e segmentit të votuesve kosovarë duke u ndarë nëpër grupe të caktuara. Raporti përmbyllet duke prezantuar metodologjinë e anketës.