Asset Publisher

Titujt

Raport Studimor

SISTEMI SHËNDETËSOR GJATË PANDEMISË COVID-19 DHE PAJISJA E STAFIT ME MATERIALET E MBROJTJES PERSONALE

Fondacioni- Konrad- Adenauer ka mbështetur një studim të kryer nga shoqata “Together for Life” në mesin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor publik, qëllimi kryesor i të cilit ishte të kuptuarit e situatës mbi pajisjen e personelit shëndetësor me materialet e mbrojtjes personale, ndjesinë e tyre të sigurisë dhe shqetësimet apo simptomat psikologjike të shfaqura si pasojë e punës gjatë shpërthimit fillestar të pandemisë COVID-19 në Shqipëri. Studimi, aktualisht i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, ofron një panoramë të qartë mbi situatën e deritanishme dhe nevojat për materialet e mbrojtjes personale, siguri dhe mirëqenie mendore të personelit shëndetësor në vend. Përpos hulumtimit të literaturës, udhëzimeve, raporteve studimore e artikujve shkencorë, ky studim përfshin në thelb komponentin sasior, dhe konkretisht janë realizuar 306 intervista të suksesshme online gjatë periudhës 6 maj – 3 qershor 2020. Analiza e të dhënave sasiore, e cila paraqet përvojën dhe përjetimet e personelit shëndetësor në tre muajt e parë të shpërthimit pandemik në vend (mars – maj 2020), nxjerr në pah disa gjetje kryesore, si më poshtë vijon:

Asset Publisher

SITUATA E DISPONUESHMËRISË SË MMP-VE

 

  • Sistemi shëndetësor publik në Shqipëri ka shfaqur disa problematika në stokun e materialeve të mbrojtjes personale (MMP-ve), sikurse edhe shtete të tjera në të gjithë globin. Në periudhën mars – maj 2020, faza fillestare e shpërthimit dhe përhapjes së virusit COVID-19 në vend, vetëm 1/3 e personelit deklaron se institucioni i tyre ka pasur MMP-të e duhura dhe 1/4 i kanë pasur ato në sasi të mjaftueshme, ndërkohë që 1/10 nuk kanë pasur fare MMP. Situata shfaqet më pozitive në spitalet COVID-19 (QSUT dhe “Shefqet Ndroqi”), gjithsesi më pak se gjysma e personelit pohon përshtatshmërinë dhe bollëkun e MMP-ve, ndërkohë që sistemi parësor (pa shtretër) ka vuajtur më tepër mungesën e MMP-ve të duhura dhe në sasitë e nevojshme. Ndonëse situata ka ardhur duke u përmirësuar nga marsi në maj 2020, sërish personeli në sistemin spitalor (me shtretër), përfshi këtu spitalet COVID-19, tregon shkallë më të lartë të përmirësimit të situatës, gati dy herë më të lartë në sistemin parësor (respektivisht rreth 58% vs. 33%).
  • Nën dritën e disponueshmërisë së kufizuar, stafi në sistemin parësor ka përdorur MMP-të me kursim, pra jo thjesht në mënyrë racionale, por duke mos i përdorur në disa raste të nevojshme, dhe kjo ka ndodhur gati dy herë më shumë në sistemin parësor sesa spitalet COVID-19 (respektivisht 60% vs. 34%). Përdorimi me kursim është më i lartë tek mjekët sesa infermierët (respektivisht 60% vs. 38%).
  • Mjekët dhe infermierët në spitalet COVID-19 janë më mirë të pajisur me të gjitha materialet e mbrojtjes personale, e megjithatë më pak se gjysma kanë sasi të mjaftueshme të MMP-ve vitale për punën me pacientët e konfirmuar me COVID-19, siç janë maskat e tipit FFP3, FFP2 ose N95, përparëse kirurgjie një përdorimshme me mëngë të gjata që bëjnë izolim total dhe mbrojtëset për sytë (syze ose helmeta mbrojtëse).
  • Dezinfektuesit me alkool ose higjienizuesit për duart, dorezat dhe maskat kirurgjikale ose mjekësore janë tri materialet e mbrojtjes personale që disponohen në masë më të madhe tek personeli shëndetësor në të gjitha nivelet, gjithsesi dukshëm në përqindje më të larta tek spitalet COVID-19 dhe ndjeshëm më pak në sistemin parësor, qoftë këto të siguruara nga institucioni përkatës apo të blera me shpenzime personale nga vetë stafi shëndetësor. Rrjedhimisht personeli shëndetësor në sistemin parësor (pa shtretër) është ndjerë më shpesh i detyruar të kryejë punën me pacientët pa MMP-të e duhura, gati dy herë më shumë se spitalet COVID-19 (respektivisht 36% vs. 19%).
  • Në të njëjtën linjë me mungesat, janë edhe blerjet me shpenzimet personale që personeli shëndetësor ka bërë për të rritur nivelin e mbrojtjes personale dhe për të ulur riskun e infektimit të pacientëve të tjerë, kolegëve e familjarëve. Dezinfektuesit me alkool ose higjienizuesit për duart, letrat e lagura dezinfektuese, dorezat dhe maskat kirurgjikale / mjekësore janë katër materialet e mbrojtjes personale që stafi ka blerë më shpesh me shpenzimet personale.
  • Duke konsideruar faktin që personeli shëndetësor gjatë muajve mars – maj 2020 ka punuar në kushte të mungesave të dukshme të materialeve mbrojtëse (MMP-ve), çka i ka detyruar ata herë t’i përdorin ato me kursim, e herë t’i blejnë ato me shpenzimet personale, niveli i ankimimit është relativisht i ulët (37%). Ankesat janë ngritur më shumë nga personeli në sistemin parësor dhe ndjeshëm më pak nga personeli i spitaleve COVID-19 (respektivisht 44% vs. 29%), ndërkohë që në të kundërt, spitalet COVID-19 kanë ndjerë më pak nevojën për të ngritur një ankesë, krahasuar me sistemin parësor, pasi kanë qenë më mirë të pajisur me MMP.


INFORMIMI DHE TRAJNIMI I PERSONELIT MBI PËRDORIMIN, VESHJEN, ZHVESHJEN DHE ELIMINIMIN E SIGURT TË MMP-VE

  • Ndër të drejtat e personelit shëndetësor, në kuadër të pandemisë COVID-19, listuar nga OBSH-ja, është informimi, udhëzimi dhe trajnimi nga instancat drejtuese, përfshi këtu trajnim për përdorimin, veshjen, zhveshjen dhe eliminimin e sigurt të MMP-ve. Megjithatë, gati 2/5 pohojnë se kanë marrë një trajnim të tillë në kuadër të pandemisë COVID-19, tek stafi i spitaleve COVID-19 sërish ndjeshëm më e lartë sesa sistemi parësor ose pa shtretër (45% vs. 32%). Shqetësues është fakti që gati 2/5 e personelit në sistemin parësor dhe spitalet bashkiake, rajonale, Spitali Universitar i Traumës dhe dy maternitetet “Mbretëresha Geraldinë” e “Koço Gliozheni” shprehen se nuk kanë marrë një trajnim të tillë asnjëherë, as pas shpërthimit të pandemisë, as më herët në përvojën e tyre të punës, e as gjatë studimeve. Kjo përqindje është ndjeshëm më e ulët tek stafi i dy spitaleve COVID (17%) dhe infermierët (22%).
  • Pamjaftueshmëria e trajnimeve shpjegon edhe nivelin e vetë-deklaruar të informimit mbi përdorimin, veshjen, zhveshjen dhe eliminimin e sigurt të MMP-ve, ku shumë të mirinformuar shprehen 2/5 e personelit në të gjitha nivelet, ndërkohë që rreth 1/10 besojnë se kanë nivele të pakta informacioni. Për të garantuar mirinformimin e tyre, më pak se gjysma kanë eksploruar në internet dhe 1/5 përmes organizatave e grupimeve profesionale si OBSH, etj. Autoritetet shtetërore si MSHMS, ISHP-ja, UK dhe instancat drejtuese të institucionit ku punojnë janë përkatësisht burimi i dytë dhe i tretë i informimit për personelin shëndetësor.

SIGURIA NË VENDIN E PUNËS DHE SHËNDETI MENDOR

  • Politikat institucionale për testimin e personelit tregojnë diferenca të ndjeshme midis niveleve, ku natyrshëm përparësi kanë pasur mjekët dhe infermierët në spitalet COVID-19 dhe gati gjysma e tyre deklaron se testimi ka qenë praktikë e përgjithshme, pavarësisht nëse personeli shfaqte ose jo simptoma. Kjo përqindje vjen ndjeshëm duke u ulur në spitalet e tjera dhe akoma më shumë në sistemin parësor.
  • Shqetësuese janë pohimet mbi nivelin e ulët të testimit të personelit shëndetësor në rastin kur ata vetë kanë shfaqur simptoma (40%) apo pasi janë vetë-izoluar si pasojë e familjarëve që kanë shfaqur simptoma (34%). Edhe në këto raste, sërish përqindja e testimeve është më e lartë tek personeli i spitaleve COVID-19 e gati dy herë më i ulët në sistemin parësor.
  • Të punuarit në kushtet të mungesave të MMP-ve të përshtatshme dhe në sasitë e nevojshme, si dhe mungesa e trajnimeve masive dhe politikat e varfra institucionale për testim të personelit kanë ndikimin e tyre tek 30% e stafit të cilët nuk ndjehen aspak të sigurt e të mbrojtur në vendin e punës. Ky nivel pasigurie është më i lartë tek personeli shëndetësor në sistemin parësor (pa shtretër) dhe më i ulët tek personeli në spitalet COVID-19, çka mund të shpjegohet me disponueshmërinë më të mirë të MMP-ve, trajnimet më të shumta dhe testimet më të shpeshta në spitalet COVID-19 e ndjeshëm të gjitha këto më të pakta në sistemin parësor. Megjithatë, numri i personelit në sistemin parësor të infektuar me COVID-19 ose të vetë-izoluar për shkak të familjarëve të infektuar është gati dy herë më i ulët sesa te personeli në spitalet COVID-19 (4% dhe 5% përkundrejt 9% dhe 12%).
  •  Shumë të shqetësuar nga mungesa e MMP-ve (84%) dhe aplikimi për herë të parë i procedurave e protokolleve në pandemi (82%), të punuarit me orare të zgjatura (42%), ndryshimi i kushteve të banimit (65%) duke u distancuar fizikisht nga familjarët dhe shqetësimi i lartë për infektimin e mundshëm të tyre (94%), janë disa nga arsyet e rëndesës psikologjike të personelit shëndetësor, teksa punojnë me vetëmohim dhe dëshmojnë humbje të jetës së pacientëve nga COVID-19.

Për më shumë të dhëna lexoni raportin e plotë!

Asset Publisher

personi i kontaktit

Klaudja Zerva

Klaudja Zerva bild

Koordinatore Projekti

Klaudja.Zerva@kas.de +355 4 22 66 525

comment-portlet

Asset Publisher

Asset Publisher

Asset Publisher