Dieter Althaus, ish-Kryeministër i Landit të Turingisë në Gjermani dhe Anëtar i Bordit të Fondacionit Konrad Adenauer, vizitoi Shqipërinë gjatë kësaj jave, me ftesë të zyrës së KAS në Tiranë.
Gjatë vizitës, ai zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, ku u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe mbi ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj, në një reagim në X, shkroi:
“Ishte kënaqësi të takoja përfaqësuesit gjermanë të Fondacionit Konrad Adenauer, z. Dieter Althaus dhe z. Thomas Kunze.
Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe për rolin e rëndësishëm që Fondacioni Konrad Adenauer po luan në vendin tonë, duke mbështetur reformat që synojnë forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.”
Z. Althaus u takua gjithashtu me Kryetarin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha. Në fokus të bisedimeve ishin situata aktuale politike në vend, bashkëpunimi ekonomik gjermano-shqiptar, si dhe procesi i integrimit evropian.