Asset Publisher

Raporte mbi aktivitetet

Seminar: Reforma në Drejtësi pas përmbylljes së procesit të Vetingut

Një bashkëpunim i KAS me Qendrën Shqiptare për Mirëqeverisje (ACGG)

Asset Publisher

Shpërndaj

Me pyetjen se si do të sigurohet integriteti i prokurorëve dhe gjyqtarëve në të ardhmen, me përfundimin e procesit të vetingut dhe shuarjen e organeve përkatëse, KAS dhe ACGG organizuan një diksutim mbi periudhën post-veting, me pjesëmarrjen e ekspertëve të jurisprudencës, përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile.

Pikat kryesore dhe rekomandimet e ekspertëve:

Prof. Dr. Aurela Anastasi, konstitucionaliste dhe pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë

  • Theksoi nevojën që Kuvendi të adresojë në mënyrë të qartë në Kushtetutë periudhën post-veting, përfshirë mundësinë e amendimeve kushtetuese.
  • Vuri në dukje rëndësinë e shmangies së hapësirave për keqinterpretim kushtetues gjatë dhe pas përfundimit të procesit të vetingut.
  • Kërkoi adresimin institucional të çështjeve që lidhen me vendimmarrjet e Gjykatës së Strasburgut.
  • Ngriti shqetësimin se gjatë zbatimit të vetingut nuk u përdor Komentari i Kushtetutës si mekanizëm interpretues.
     

Prof. Dr. Altin Shegani, pedagog në Fakultetin e Drejtësisë

  • Prezantoi modele ndërkombëtare të kontrollit disiplinor në sistemin e drejtësisë.
  • Theksoi nevojën për mekanizma juridikë që garantojnë llogaridhënie dhe balancë institucionale.
  • Kërkoi identifikimin e modeleve më të përshtatshme për Shqipërinë, me qëllim ruajtjen e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve edhe pas përfundimit të vetingut.
     

Dr. Ylli Pjetërnikaj, pedagog në Shkollën e Magjistraturës

  • E cilësoi vetingun si një mekanizëm emergjent dhe theksoi nevojën për kalimin drejt një sistemi normal monitorimi dhe parandalimi.
  • Vuri theksin tek nevoja për fokus më të madh tek parandalimi dhe jo vetëm tek përjashtimi nga sistemi.
  • Propozoi ngritjen e një “Këshilli Kombëtar të Integritetit”, i cili do të mbështetej në modelin funksional të KPA-së.
  • Sugjeroi që ky mekanizëm të përfshijë funksione të ILDKPI-së dhe hetim më të thelluar përtej masave disiplinore për gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë.
  • Theksoi se ky institucion do të ndihmonte në ruajtjen e standardeve të arritura dhe në garantimin e pavarësisë funksionale.
     

Fabian Zhilla, pedagog në CIT dhe ish-shef kabineti në SPAK

  • U ndal tek vijimësia e trajtimit të çështjeve nga SPAK pas përfundimit të procesit në KPA.
  • Theksoi nevojën për një analizë të thelluar institucionale mbi arritjet, problematikat dhe hapat e ardhshëm të reformës në drejtësi.
  • Mbështeti diskutimin mbi krijimin e mekanizmave të rinj të integritetit, si propozimi për një Komision Kombëtar të Integritetit.
  • Nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur, efikase dhe në shërbim të qytetarëve.
     

Edmond Hoxhaj, gazetar i BIRN Albania

  • Prezantoi një analizë të procesit të vetingut nga perspektiva e monitorimit mediatik.
  • Theksoi nevojën për një analizë më të gjerë profesionale të gjithë procesit.
  • Sugjeroi publikimin e qëndrimeve dhe vlerësimeve të ONM-së për të ndihmuar në dokumentimin dhe kuptimin më të plotë të reformës.
  • Vlerësoi rolin e medias dhe organizatave të shoqërisë civile në pasqyrimin e procesit.
  • Shprehu rezerva mbi mundësinë e ruajtjes së integritetit të sistemit pa një mekanizëm të ngjashëm me vetingun.
     

Erinda Skendaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit

  • Theksoi rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm dhe kritikës konstruktive gjatë procesit të vetingut.
  • Ngriti shqetësimin se në disa raste nuk pati hetime të mëtejshme nga SPAK për subjektet e larguara nga sistemi për pasuri të pajustifikuara.
  • Vlerësoi se vetingu dha sinjalin e fundit të pandëshkueshmërisë, por kërkoi mekanizma të qëndrueshëm për të shmangur rikthimin e problematikave në të ardhmen.
     

Prof. Dr. Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i ISP-së

  • Theksoi se Shqipëria mund të mos ketë pasur kapacitetet e mjaftueshme për të përballuar një reformë kaq të thellë dhe emergjente.
  • Kërkoi që rezultatet e reformës të analizohen përtej statistikave dhe të maten mbi funksionimin real të institucioneve të drejtësisë.
  • Vlerësoi se drejtësia e re ende nuk i ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.
  • Ngriti shqetësimin për mbylljen dhe mungesën e aksesit në arkivat online të organeve të vetingut.
  • Theksoi mungesën e një analize serioze institucionale mbi rezultatet dhe perspektivën e sistemit pas përfundimit të vetingut.

Në diskutime kontribuan edhe ekspertë dhe përfaqësues të tjerë të pranishëm, të cilët theksuan nevojën për mekanizma të qëndrueshëm monitorimi dhe garantimi të integritetit të sistemit të drejtësisë, si dhe rëndësinë që arritjet e deritanishme të mos mbeten një proces i përkohshëm, por të shërbejnë si bazë për një drejtësi funksionale dhe europiane në të ardhmen.

 

Në këtë kuadër, Fondacioni “Konrad Adenauer” ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme për reformën në drejtësi në Shqipëri, përmes projekteve konkrete, trajnimeve, konferencave dhe bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë, me synimin për forcimin e një sistemi të pavarur, profesional dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Asset Publisher

Kontakt

Zheni Korçari

Zheni Korcari
Koordinatore Programi
Zheni.Korcari@kas.de +355 4 22 66 525

comment-portlet

Asset Publisher

Asset Publisher