Të mërkurën, më datë 29 prill, prezantuam studimin e mbështetur nga KAS “Kujtesa Kolektive dhe Reforma Institucionale në Shqipërinë Post-Komuniste” të Elvin Gjevorit, në një diskutim me studentë vendas dhe ndërkombëtarë që studiojnë aktualisht në Shqipëri.
Së bashku me Christian Forneck, Këshilltar për politikën e jashtme dhe sigurinë pranë CDU/CSU në Bundestag, Gentian Elezin, Profesor në Kolegjin e Evropës në Tiranë dhe autorin e studimit, reflektuam mbi mënyrën se si institucione të ndryshme në Shqipërinë post-komuniste ndoqën rrugë të ndryshme reformimi.
Nga njëra anë, ushtria u depolitizua gradualisht, duke arritur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndërsa drejtësia mbeti e politizuar, çka çoi në nevojën për një reformë të thellë si parakusht për integrimin në BE. Kësaj perspektive lokale iu shtua edhe këndvështrimi gjerman për të ardhmen e Shqipërisë në BE dhe çështjet e sigurisë brenda Unionit.
Studimin e plotë e gjeni në webin tonë.