Detaje
Fondacioni Konrad Adenauer dhe Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë vijnë me edicionin e 11-të të Ditëve të Kujtesës, i cili do të mbahet nga 19–21 shkurt në Tiranë, një platformë që bën bashkë organizatat dhe institucionet kryesore që veprojnë në fushën e kujtesës për reflektimin mbi pasojat e diktaturës komuniste në Shqipëri.
Agjenda
Programi - Ditët e Kujtesës'26
Më 20 shkurt 1991, rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha shënoi një moment vendimtar në historinë e Shqipërisë, një akt simbolik që sinjalizoi shkëputjen nga e kaluara dhe fillimin e një kapitulli të ri në historinë e vendit.
19 shkurt | Performancë artistike
Prezantimi dhe leximi skenik i romanit "Manual Rrëzimi"
Një performancë multidisiplinare nga studentë të rinj të dramës nga Fakulteti i Arteve, që eksploron dimensionet simbolike, emocionale dhe qytetare të rrëzimit të një monumenti në një shoqëri që përballet me të kaluarën e saj.
20 shkurt | Tryezë e rrumbullakët
“Rënia e Simboleve – Përvojat të transformimit”
Një dialog ndërkombëtar me pjesëmarrës nga Shqipëria, Hungaria, Polonia, Gjermania dhe Rumania mbi mënyrën se si shoqëritë përballen dhe transformojnë narrativat e tyre historike.
20 shkurt | Shfaqje filmi“Goodbye Lenin”
Një reflektim i fuqishëm kinematografik mbi praninë e vazhdueshme të simboleve, zakoneve dhe mendësive të epokës së diktaturës në jetën post-komuniste.
21 shkurt | Laborator online “Roots & Reels”
Një konkurs ndërkombëtar historie për rrëfimtarët e rinj digjitalë. Sesion online idesh (brainstorming), i udhëhequr nga pyetja: “Cilat histori nga e shkuara të flasin ty sot?”
Ju mirëpresim të na bashkoheni!