Detaje
Premiera e dokumentarit "Spaç 1973 - Martirët e Lirisë" vjen për herë të parë për publikun ditën e martë, datë 17 qershor, ora 11:00, në Kinema Millenium. Një film nga Unioni Mbarëkombëtar për Integrimin e të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer.
Rreth filmit:
Revolta e Spaçit e 21 majit 1973 hyri në historinë e Shqipërisë si një nga ngjarjet më dramatike që tronditi regjimin komunist. Për tri ditë me radhë, të burgosurit politikë të këtij kampi, pas thuajse tridhjetë vitesh shtypje, ngritën midis maleve të Mirditës flamurin kombëtar kuq e zi pa yllin e kuq, simbolin e diktaturës.
Ky film-dokumentar është një homazh për të gjithë pjesëmarrësit e atij akti trimërie, veçanërisht për katër të pushkatuarit: Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Skënder Daja. Ata, si dhe 6000 të tjerë të pushkatuar politikë të regjimit, mbetën të zhdukur – pa varre, pa emra, me eshtrat ende të pagjetura.
Kujtesa historike e Shqipërisë do të mbetet e paplotë, derisa Spaçi të shndërrohet në një muze të gjallë të persekutimit, si dëshmi e një prej regjimeve më të egër në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.