Detaje
Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS) në Shqipëri dhe Kujto.al, në bashkëpunim me Bunk’Art 1, organizojnë një trajnim dyditor mbi dokumentimin e kujtesës së komunizmit. Trajnimi i dedikohet studentëve të gazetarisë dhe historisë, si dhe të rinjve të interesuar për historinë, kujtesën dhe prodhimin multimedial.
Përmes këtij trajnimi, pjesëmarrësit do të njihen me metodat e hulumtimit dhe dokumentimit të së kaluarës diktatoriale, duke u fokusuar te dëshmitë gojore, dokumentet arkivore dhe burimet historike. Gjithashtu, do të njihen me mënyrat e përpunimit dhe shndërrimit të këtyre burimeve në materiale multimediale për publikun.
Programi i trajnimit përfshin:
- Sesione me gazetarë dhe studiues të periudhës komuniste.
- Punë praktike për krijimin e materialeve multimediale.
- Vizitë studimore në Bunk’Art 1.
Si të aplikoni?
Të interesuarit mund të aplikojnë duke dërguar një email në al.kujto@gmail.com, ku të shprehin interesin për pjesëmarrje dhe të prezantojnë shkurtimisht profilin e tyre.
Afati i aplikimit: 16 nëntor
Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë.