Përmbledhje
Ky studim analizon mënyrën se si qytetarët shqiptarë e perceptojnë identitetin e tyre ideologjik dhe se sa përputhet ai me ndarjen tradicionale “të majtë – të djathtë” në Evropën Perëndimore. I ndërtuar mbi të dhënat e një anketimi mbarëkombëtar, me një kampion prej 1,119 qytetarësh, studimi evidenton një kontrast të qartë mes vetidentifikimit politik dhe qëndrimeve konkrete ndaj politikave sociale, ekonomike dhe kulturore.
Rezultatet tregojnë se pavarësisht se qytetarët e konsiderojnë veten të majtë apo të djathtë, ekziston një mbështetje shumë e gjerë për politika sociale që tradicionalisht konsiderohen të majta, si arsimi dhe shëndetësia falas, tatimi progresiv dhe ndërhyrja e shtetit në ekonomi. Në të njëjtën kohë, në aspektin kulturor dhe familjar, shoqëria shqiptare anon më shumë drejt vlerave tradicionale. Studimi nxjerr gjithashtu në pah ndikimin e trashëgimisë historike dhe të statusit politik të familjes përgjatë viteve të komunizmit, në orientimin ideologjik dhe sjelljen elektorale të qytetarëve shqiptarë në ditët e sotme.
Konkluzionet kryesore
- 41% e të anketuarve e konsiderojnë veten të majtë, 31.3% të djathtë dhe 24.2% të qendrës.
- Mbi 80% e qytetarëve mbështesin politika sociale si shëndetësia dhe arsimi falas, ndihma sociale dhe tatimi progresiv.
- Edhe qytetarët që vetidentifikohen si të djathtë mbështesin në shumicë politika socio ekonomike që në Evropën Perëndimore konsiderohen të majta.
- Në aspektin kulturor dhe familjar, shoqëria shqiptare anon më shumë drejt tradicionalizmit sesa liberalizmit.
- Vetidentifikimi ideologjik lidhet ngushtë me sjelljen elektorale: shumica e të majtëve votojnë për PS-në, ndërsa shumica e të djathtëve për PD-në.
- Statusi politik i familjes gjatë regjimit komunist mbetet një faktor i fortë në identitetin ideologjik dhe orientimin politik të qytetarëve.
- Qytetarët me arsim dhe të ardhura më të larta priren më shumë drejt qëndrimeve që lidhen me ideologjinë e djathtë në aspektin ekonomik dhe kulturor.
- Banorët e zonave rurale dhe shtresat me të ardhura më të ulëta mbështesin më fort politikat sociale dhe ndërhyrjen e shtetit në ekonomi.
Lexoni studimin e plotë për më tepër.