Asset-Herausgeber

Einzeltitel

Media shqiptare, rrugëtimi i vështirë drejt lirisë

Sikur Mit’hat Frashëri të mos kishte lajmëruar në faqet e fundit të revistës “Diturija”shënimin “Dëshërojmë të blemë çdo librë të vjetrë që i përket Shqipërisë”, ndoshta shumë patriotë dhe dijetarë shqiptarë nuk do të kishin mundur të ndihmonin për të krijuar një prej bibliotekave më të mëdha në Shqipëri. Kjo bibliotekë arriti të mbushë raftet e saj me më shumë se 40000 vëllime të botimeve për Shqipërinë dhe, pas sekuestrimit në vitin 1945, u bë pjesë e Bibliotekës Kombëtare.

Asset-Herausgeber

Sot, kontributi i atyre atdhetarëve gjendet në raftet e bibliotekës, bashkë me shumë libra, gazeta e revista në gjuhën shqipe, duke na trashëguar një pasuri të madhe kombëtare. Bibliotekat shqiptare janë të mbushura me përpjekjet e jashtëzakonshme të njerëzve të shquar, me sakrificat e tyre të pakursyera për të mbajtur në këmbë një prej kombeve më të lashta në Evropë. Dhe të mendosh, që në kohën kur filloi kjo iniciativë e guximshme, rreth një shekull më parë, nëse shkruaje apo lexoje shqip, mund të dënoheshe me burgim a syrgjynosje në fund të botës. Studimi që u ndërmor për rolin që kishte media shqiptare në historinë e Shqipërisë dhe rrugëtimin e vështirë të saj nga lindja deri sot, sigurisht që do të krijonte mundësinë të hulumtohej një prej fushave ku kontributi i patriotëve shqiptarë ka qenë vendimtar, krijimi i medias shqiptare. Në kohën kur dukej se shpirti i shqiptarëve ishte venitur nën robëri, një dritë shprese, një dritë diturie, vjen nga përtej detit, atje ku ishte vendosur një pjesë e madhe shqiptarësh disa shekuj më parë. Arbëreshët e trashëguan brez pas brezi gjuhën shqipe, aty ku zë rrënjë dëshira për liri dhe shpresa për rimëkëmbje.

Ata krijuan organet e para periodike, që shkruanin mbi zakonet, traditat dhe historinë e Shqipërisë. Dhe drita u përhap. Shumë patriotë shqiptarë u zgjuan dhe ndezën rreth e rrotull trojeve shqiptare pishtarët e diturisë, hapën revista e gazeta që iu thërrisnin, ose sipas Mit’hat Frashërit, iu bërtisnin shqiptarëve të çoheshin dhe të merrnin në dorë fatet e kombit. Po krijohej dalëngadalë një traditë e raportimit të ngjarjeve dhe shkrimit të tyre, ashtu si në vendet e tjera. Nga faqja në faqe, nga numri në numër, nga revista në revistë, po krijohej media e strukturuar shqiptare, që do të luante një rol vendimtar në momentet më jetike të vendit. Metodologjia e përdorur në këtë studim për katër kapitujt e tij të parë, që përfshijnë periudhën prej revistës së parë “L’albanese d’Italia”, e botuar në vitin 1848 nga arbëreshët e Italisë e deri në vitin 1944, është mbështetur në punën kërkimore, kryesisht në arkivin e Bibliotekës Kombëtare. Janë përzgjedhur shkrime të ndryshme të botuara në gazeta dhe revista, për të treguar se sa e vështirë ishte të krijoje një organ shtypi në kohën kur shtypshkronjat ishin të rralla, financat mungonin, përndjekja nga armiqtë e Shqipërisë të rrezikonte jetën dhe infrastruktura e bënte pothuajse të pamundur takimin apo letërkëmbimin e autorëve. Po ashtu, janë përzgjedhur pjesë nga artikuj, që tregonin raportin e medias me pushtetin, me lexuesin dhe mes vetë organeve të shtypit. Replikat e shumta mes autorëve nuk mungonin, as kritikat e ashpra, që ndonjëherë shkonin deri në akuza të ndërsjella, por në përgjithësi brenda etikës profesionale. Të bëjnë përshtypje reagimet e disa mediave që, me guxim, kundërshtuan hapur censurën dhe për hir të fjalës së lirë nuk heshtën, por iu kundërvunë pushtetit, pavarësisht pasojave. Cilësia e artikujve në disa prej organeve, që kemi zgjedhur për t’i ribotuar pjesërisht, është e një modeli inspirues edhe sot. Me një gjuhë të pasur, mbështetur mbi fakte dhe me një logjikë analitike të rrallë, autorë si Faik Konica, Mit’hat Frashëri, Ismet Toto, Fan Noli, Kristo Dako, Parashqevi Qiriazi, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Branko Merxhani, Nebil Çika, Don Lazër Shantoja, Ernest Koliqi, Petro Marko e dhjetëra të tjerë, na kanë dhënë leksionet e para mbi median e shkruar. Studimi vazhdon me tre kapitujt e tjerë, që nga koha e vendosjes së diktaturës komuniste, rrëzimi i saj dhe tranzicioni deri në ditët e sotme, i bazuar në burime arkivore dhe studime të tjera. Një prej gjetjeve të këtij punimi, është fakti se gazetarët dhe publicistët ishin në listat e para të ekzekutimit nga regjimi komunist. Mendimi dhe fjala e lirë u burgosën për 45 vjet dhe media shqiptare pushoi së ekzistuari, duke u zëvendësuar me makinën propagandistike të regjimit diktatorial. Pas vitit 1990 media u ringjall, u hapën një numër i madh gazetash e revistash dhe qindra stacione radio-televizive. Ndonëse aktualisht Shqipëria ka numrin më të madh të gazetarëve në raport me numrin e banorëve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për cilësinë, dhe për këtë nuk janë përgjegjës vetëm gazetarët dhe botuesit.

Gjatë këtyre viteve pushtetarët kanë treguar se kanë koncepte të gabuara për lirinë e medias dhe ende nuk kanë demonstruar se janë të gatshëm të pranojnë median në rolin e saj. Përpjekjet e vazhdueshme për ta kthyer median në vegël të pushtetit, presionet dhe kërcënimet ndaj punonjësve të medias nga ana e zyrtarëve të veshur me pushtet, kanë qënë pengesë kryesore për zhvillimin e medias sipas standardeve të vendeve evropiane. Gjatë këtij studimi kam pasur fatin të lexoj për herë të parë disa prej shkrimeve që më kanë lënë vërtet mbresa. Kam gjetur artikuj dhe botime që fshihen vetëm në raftet e arkivave dhe mendoj se vlejnë edhe për kohën e sotme, pavarësisht se janë shkruar një shekull më parë. Besoj se edhe lexuesi i këtij studimi do të ketë mundësi të vlerësojë më mirë misionin historik të medias shqiptare në zhvillimin e shoqërisë sonë.

Asset-Herausgeber

comment-portlet

Asset-Herausgeber

Asset-Herausgeber