Ky punim është i organizuar në pesë seksione. Punimi fillon me seksionet një dhe dy, ku pasqyrohet diskutimi konceptual i politikës së jashtme kineze, duke synuar që të hidhen themelet për t’i kuptuar parimet bazë që udhëheqin filozofinë e politikës së jashtme kineze. Seksioni i tretë diskuton praninë e Kinës në Ballkanin Perëndimor dhe qasjen e varësisë nga e shkuara, e cila zbatohet nga politika e jashtme kineze. Seksioni i katërt paraqet analizën e diskursit të politikës së jashtme kineze, në mënyrë që të ekzaminohet gjuha specifike e përdorur nga Kina kur diskutohet për Kosovën, Serbinë dhe procesin e normalizimit, bazuar në një analizë të 82 teksteve me më shumë se 30,000 fjalë, ku përfshihen deklarata zyrtare, fjalime dhe intervista nga zyrtarë, kryesisht nga viti 2008 deri në vitin 2024. Seksioni i pestë aplikon një këndvështrim më kritik ndaj qëndrimeve, duke e plasuar qasjen e Kinës brenda interesave të veta më të gjera në Ballkanin Perëndimor. Ky punim gjurmon pozicionimin e Kinës ndaj Kosovës, një temë e cila deri më sot ka qenë kryesisht e paeksploruar në Kosovë, duke u mbështetur në deklaratat zyrtare kineze, fjalimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, njoftimet e MPJ-së dhe vizitat diplomatike. Në esencë, punimi identifikon edhe një model konsistent të distancës retorike të shoqëruar me përafrim me Serbinë.
Gjetjet kryesore të punimit janë të trefishta. Pikë së pari, diskursi i Kinës për Kosovën bazohet në një kornizë legaliteti në dukje, veçse retorike dhe oportuniste në praktikë. Gjithsesi, përkundër fasadës së legalitetit, Kina gjithmonë e ka injoruar opinionin e vitit 2010 të GjND-së për pavarësinë e Kosovës. Së dyti, politika e jashtme e Kinës ndaj Ballkanit Perëndimor nuk është neutrale, por është qartazi e përafruar me Serbinë, si në retorikë ashtu edhe në teknikalitete, dhe kjo e bën Serbinë një platformë kyçe për ndikimin kinez në rajonin tonë, siç është treguar edhe nga studime të tjera.1 Së treti, edhe pse e mbështet në parim dialogun e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kina e minon procesin duke refuzuar t’i mbështesë objektivat e tij, duke u distancuar nga nocioni i “normalizimit”, si dhe duke promovuar një status quo që favorizon dykuptimësinë përpara zgjidhjes. Për Kinën, Kosova nuk është çështje që duhet zgjidhur, por projekt liberaldemokratik perëndimor që duhet të dështojë. Me fjalë të tjera, qëndrimi i Kinës ndaj Kosovës ka mbetur kryesisht i njëjtë prej vitit 1998, duke e parë “zgjidhjen” e Kosovës në një mënyrë që i përshtatet më së miri interesave të Serbisë, çka bëhet kryesisht për shkak të Tajvanit, siç mëton të tregojë ky punim.