Asset Publisher

Publikime

MJEDISI I SIGURISË NË KOSOVË NË VITIN 2030

Ky punim shqyrton perspektivën e sigurisë së Kosovës për vitin 2030, duke argumentuar se vendi duhet të fuqizojë qëndrueshmërinë e tij të brendshme përmes përforcimit të infrastrukturës kritike, sigurisë kibernetike, koordinimit institucional dhe qeverisjes lokale në vend që të mbështetet vetëm te faktorët e jashtëm apo të presë që Serbia të ndryshojë.

Asset Publisher

Shpërndaj

Gjasat janë që mjedisi i sigurisë në Kosovë në vitin 2030 të formësohet jo nga një ngjarje e vetme por nga presionet e vazhdueshme. Këtu përfshihen marrëdhëniet e pazgjidhura me Serbinë, mungesa e stabilitetit në veri, risqet kibernetike dhe infrastrukturore, dezinformimi, korrupsioni, krimi i organizuar, kostot e tranzicionit energjetik, migracioni dhe integrimi i ngadaltë euroatlantik. Përkundër këtyre sfidave, Kosova i ka pikat e saj të forta: institucione efektive, forcë policore të aftë, fokus të qartë perëndimor, KFOR-i si partner i sigurisë dhe disa strategji të miratuara. Strategjia e Sigurisë së Kosovës 2022-2027 veç i trajton sovranitetin, integritetin territorial, sigurinë publike, infrastrukturën kritike, sigurinë energjetike, korrupsionin dhe krimin e organizuar si çështje të lidhura me sigurinë. Ky është themel i mire, por sfida kryesore është vënia në veprim e këtyre planeve.

 

Argumenti kryesor i këtij punimi është se deri në vitin 2030 Kosova do të jetë më e sigurt nëse do të jetë më e vështirë të destabilizohet. Ky është synim praktik. Kosova duhet të mbyllë hendekët që mund t’i shfrytëzojnë të tjerët, siç janë koordinimi i ngadaltë ndërmjet institucioneve (veçanërisht institucioneve të sigurisë), përgjegjshmëria e dobët e komunikimit gjatë krizave (jo vetëm për përgënjeshtrimin (debunking), por edhe për përgatitjen paraprake të publikut kundër mashtrimeve (pre-bunking)), infrastruktura e cenueshme, të dhënat e kufizuara kibernetike publike, ndjekja penale e dobët e krimeve të rënda dhe mungesa e besimit ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve serbe në veri. Sipas përditësimit të NATO-s më 12 qershor 2026, KFOR-i vazhdon të punojë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in si pjesë e përgjigjes më të gjerë të sigurisë. NATO gjithashtu ka njoftuar se prania e KFOR-it do të rregullohet gradualisht me përmirësimin e situatës, por kjo mund të ndryshojë nëse përkeqësohet siguria. Kjo nënkupton se derisa situata është stabile, rezilienca e Kosovës mbetet e rëndësishme.

 

Ky dokument mban qëndrim të qartë: Kosova nuk duhet të presë që Serbia të ndryshojë para se t’i bëjë përmirësimet e veta. Jo për çdo problem faji duhet t’i vihet Serbisë. Përderisa Serbia është ende faktori kryesor i jashtëm, rezilienca e Kosovës varet nga veprimet e saj në institucione, komuna, gjykata, shërbime publike, sistemin energjetik dhe hapësirën informative. Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025 thekson rëndësinë e sundimit të ligjit, normalizimit, funksionimit demokratik dhe reformës institucionale për rrugën evropiane të Kosovës. Plani i BE-së për Rritje për Ballkanin Perëndimor dhe Agjenda e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, ofrojnë një kornizë solide për reforma dhe financim. Nëse përdoren mirë, këto mund të ndihmojnë në ngritjen e reziliencës që i nevojitet Kosovës.

Asset Publisher

comment-portlet

Asset Publisher

Asset Publisher