Kosova ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë të krizës politike si pasojë e mungesës së kulturës politike të kompromisit. Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, BIRN raportoi se fushata zgjedhore në Kosovë u karakterizua nga gjuha e urrejtjes, dezinformimi dhe fyerjet dehumanizuese, përfshirë raste kur kundërshtarët politikë krahasoheshin me kafshë, përshkruheshin si të paaftë mendërisht ose etiketoheshin si spiunë të Serbisë. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) konstatoi se partitë politike ishin përgjegjëse për 30 raste të gjuhës së urrejtjes, ndërsa organizatat për verifikimin e fakteve identifikuan të paktën 100 raste të dezinformimit në ditën e zgjedhjeve. Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025 u mbajtën pas një ngërçi të zgjatur politik, i cili e kishte lënë Kuvendin jofunksional dhe kishte vonuar financimin prej rreth 1 miliard eurosh.
Polarizimi aktual në Kosovë shpesh shihet nga prizmi i marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet partive politike më tradicionale në vend, të cilat dominuan procesin e shtetndërtimit pas luftës, dhe elitës së re politike që doli në skenë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky punim argumenton se problemi më i thellë qëndron në mënyrën se si politika në Kosovë është organizuar rreth logjikës së bllokimit të palës tjetër. Mospajtimet ndërmjet partive politike janë të zakonshme në çdo demokraci. Kjo është normale. Problemet në Kosovë lindin kur mospajtimi shndërrohet në armiqësi që dëmton interesat themelore shtetërore, kur kompromisi perceptohet si dobësi dhe kur institucionet publike përdoren për t’ia pamundësuar palës tjetër çdo sukses politik, edhe në rastet kur çmimin e paguan i gjithë vendi, siç ishte rasti me dështimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe procese të tjera të ngjashme.
Po ashtu, është e rëndësishme të theksohet se ky punim nuk argumenton se mospajtimet politike duhet të zhduken. Kosova ka nevojë për debat të fuqishëm politik dhe për opozitë funksionale. Por, njëkohësisht, vendi ka nevojë për parashikueshmëri institucionale dhe për institucione që e bëjnë të mundur bashkëpunimin rreth çështjeve të interesit shtetëror. Sfida kryesore është e lehtë për t’u përshkruar, por shumë më e vështirë për t’u kapërcyer në praktikë: të krijohet një sistem ku bllokimi politik të jetë më pak i leverdishëm, ndërsa bashkëpunimi të ketë kosto më të ulët