Si aktor politik në Evropë, qëllim i kamotshëm i Rusisë ka qenë të krijojë ndikim përtej kufijve të saj të menjëhershëm, në mënyrë që të projektojë pozitë me pushtet dhe të sfidojë komunitetin euroatlantik. Një nga partnerët më të afërt në këtë përpjekje është Serbia, ku interesat e disa elitave politike përputhen me ato të Kremlinit.
Në vend se të mbështetet kryesisht në operacione tradicionale ushtarake, forca e Rusisë qëndron në përdorimin e gjerë të instrumenteve jo-ushtarake, shpesh të përshkruara si luftë hibride. Këto përfshijnë operacione kibernetike, fushata dezinformimi, ndikim politik, presion ekonomik dhe mbështetje për aktorë të ndërmjetëm. Moska zotëron një gamë të gjerë të ashtuquajturave “masa nën pragun e luftës”, të cilat i përdor në mënyrë aktive dhe është e gatshme t’i ndajë me aleatët e saj, në ndjekje të objektivave strategjike dhe ambicieve politike të partnerëve.
Ky raport shqyrton strategjitë, qasjet dhe metodat që Rusia ka përdorur në Ukrainë si pjesë e luftës hibride dhe mënyrën se si këto mjete po përshtaten ose po amplifikohen në Ballkanin Perëndimor.