Asset Publisher

Publikime

Sisteme të qëndrueshme bujqësore dhe ushqimore në Kosovë

Analiza e politikave dhe ecuritë drejt vitit 2030

Ky punim analizon sistemet bujqësore dhe ushqimore të Kosovës përmes këndvështrimit të qëndrueshmërisë dhe harmonizimit me BE-në, si dhe hapat e nevojshëm për të ardhmen.

Asset Publisher

Shpërndaj

Tranzicioni drejt sistemeve të qëndrueshme bujqësore dhe ushqimore është bërë komponent qendror i arkitekturës së politikave të Bashkimit Evropian në kuadër të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, veçanërisht përmes Strategjisë “Nga Ferma në Pirun” dhe Strategjisë së BE-së për Biodiversitetin deri në vitin 2030. Këto korniza e ripërkufizojnë bujqësinë jo vetëm si sektor prodhues, por si një sistem që në të njëjtën kohë duhet të ofrojë sigurinë ushqimore, qëndrueshmërinë mjedisore, qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe zhvillimin rural. Në këtë kontekst, vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, pritet t’i përafrojnë politikat e tyre bujqësore me standardet në zhvillim të BE-së, duke integruar parimet e qëndrueshmërisë në sistemet e prodhimit, në zinxhirët e vlerës dhe në strukturat e qeverisjes.
 

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025 thekson se vendi ka arritur vetëm “një nivel të përcaktuar të përgatitjes” në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, ndërsa gjatë periudhës raportuese është shënuar vetëm “progres i kufizuar”. Mangësitë kryesore strukturore vazhdojnë të jenë të pranishme, sidomos në aspektin e kapaciteteve administrative, përafrimit me acquis të BE-së dhe zbatimit të instrumenteve themelore të qeverisjes. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me organet e saj kryesore zbatuese, vazhdon të përballet me kufizime të konsiderueshme kapacitetesh. Ndërkohë, sistemet kyçe si Sistemi i Integruar I Administrimit dhe Kontrollit (IACS) dhe Rrjeti i të Dhënave për Qëndrueshmërinë e Fermave (FSDN), mbeten ende të pazhvilluara në masën e nevojshme.


Ky punim analizon sistemet bujqësore dhe ushqimore të Kosovës nga këndvështrimi i qëndrueshmërisë dhe përafrimit me BE-në. Ai analizon kornizën ekzistuese të politikave dhe institucioneve, strukturën dhe performancën e sektorit, si dhe presionet kryesore mjedisore që burojnë nga aktiviteti bujqësor. Duke u mbështetur në këtë analizë, punimi identifikon sistemet prioritare për transformim dhe paraqet opsione politikash për të mbështetur kalimin e Kosovës drejt sistemeve të qëndrueshme bujqësore dhe ushqimore deri në vitin 2030.

Asset Publisher

comment-portlet

Asset Publisher

Asset Publisher