Asset Publisher

Informacione mbi vendin

Zgjedhjet lokale në Shqipëri- 2011

Dr. Willibold Frehner

BASHKËSIA NDËRKOMBËATRE KËRKON REFORMA POLITIKE

Zgjedhjet për pushtetin lokal, të zhvilluara në Shqipëri më datë 08 maj 2011, ishin një test për nivelin aktual të zhvillimeve demokratike në vend dhe mbartnin gjithashtu një domethënie të madhe për avancimin e demokracisë në Shqipëri.

Asset Publisher

Të gjithë vëzhguesit ishin në një mendje se: kishte një konkurrencë të qartë për votat, në një klimë polarizimi të fortë politik dhe mosbesimi mes partive të mazhorancës qeveritare ( Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Republikane) dhe partive të bllokut opozitar ( të kryesuara nga Partia Socialiste e Shqipërisë).

Konflikti parlamentar prej vitesh karakterizohet nga zënkat permanente mes PD-së dhe PS-së mbi temat politike që cekin rregullsinë e procesit zgjedhor parlamentar të vitit 2009 dhe zënien e pozicioneve të gjyqtarëve. Parlamenti funksionon në masë shumë të reduktuar, një dialog konstruktiv politik nuk duket të ketë. Politika bojkoton vetveten dhe gjendet në një luftë permanente për dëmtimin apo mënjanimin e kundërshtarit politik. Të gjitha këto janë dëshmi se demokracia në Shqipëri, duhet të përballet akoma me dhimbje lindjeje të forta dhe se bima e njomë e demokracisë duhet mbikqyruar e ushqyer akoma nga organizatat e huaja.

Zgjedhjet e 08 majit 2011 ishin të parat zgjedhje lokale ( zgjedhje për kryebashkiakë dhe këshilla bashkiakë) pas ndryshimit të Kushtetutës dhe hyrjes në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor, në vitin 2008. Fatkeqësisht, kundërshtarët tradicionalë politikë; Kryeministri Berisha dhe lideri i opozitës, Rama, për shkak të trazirave politike, nuk ranë më dot dakord të ndërmerrnin reforma të tjera zgjedhore, para zhvillimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2011.

Mungesa e këtyre reformave shkaktoi më pas edhe një pështjellim në rritje. Nëse zgjedhjet në një masë të konsiderueshme u përgatitën në mënyrë transparente, gjatë ditës së votimit pati probleme të mëdha në hedhjen e votës së qytetarëve në kutitë e votimit dhe një debat - për të cilin nuk u vu re dëshira për ta zgjidhur - mbi numërimin e votave.

Procedura e numërimit u shty në disa bashki (siç u veprua për shembull me rezultatin shumë të ngushtë në garën për Kryebashkiak të Tiranës) me javë, shoqëruar me debate të ashpra, pretendime, kundërshtime dhe rinumërim të votave.

Zgjedhjet demokratike në vendet demokratike zhvillohen ndryshe. Ato kanë nevojë për një bazament ligjor të pakontestuar dhe të fortë. Zgjedhjet demokratike kanë nevojë për aktorë të përkushtuar ndaj demokracisë dhe të mirëtrajnuar.

2. Rezultatet e zgjedhjeve lokale parë nga perspektiva e PD-së

„Aleanca për qytetarin“, udhëhequr nga PD-ja fitoi zgjedhjet për pushtetin lokal në rang vendi me një total prej rreth 733.000 votash kundrejt „Aleancës për të ardhmen“ kryesuar nga PS-ja ( me rreth 662.000 vota në total). Partia Demokratike ( si parti e marrë më vete) gjithsesi arriti një rezultat me distancë më pak se sa rivalja kryesore PS, në rang vendi.

Rezultati për PD-në ( sëbashku me koalicionin e kryesuar prej saj „Aleanca për qytetarin“) në rang vendi, me një shumicë prej 70.000 votash, ishte sigurisht për t´u shënuar, por gjithsesi jo surprizues. Sidomos vjelja e votave në Tiranë dhe në qytete të tjera të mëdha, për PD-në, nuk mund të përshkruhet si ekselente.

Zgjedhja e Kryebashkiakut Basha në Tiranë, nëpërmjet zgjedhësve që votuan për „Aleancën për qytetarin“, rritja e numrit të votave për kandidatin e PD-së në Tiranë, fitorja në bashkitë e tjera rreth Tiranës, si Kamza apo Farka, si edhe në kështjellën tradicionale demokrate, Shkodër, treguan se kjo parti mund të mobilizojë votues edhe në zonat qytetare ( urbane), nëse në garë paraqiten kandidatë të mirë dhe kur parashtrojnë programe me përmbajtje dhe bindëse zhvillimi për bashkitë e komunat e tyre, të cilat miratohen nga zgjedhësit.

Fitoret e PS-së në shumë qytete të mesme dëshmojnë se deri në zgjedhjet e tjera parlamentare që do mbahen në vitin 2013, duhet punuar edhe më shumë në përmirësimin e imazhit të qeverisë dhe të PD-së, si dhe për zbatimin e një politike të arsyeshme për qytetarët – përndryshe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, nga ana e PD-së, nuk mund të presim një rezultat pozitiv.

Për t´u vlerësuar pozitivisht nga ana e PD-së, është fitorja e zgjedhjeve për Kryebashkiakun në Tiranë, Kamëz dhe Farkë. Këto tri bashki përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të rajonit qendror me rritje ekonomike të Shqipërisë. Me këtë hap është vendosur edhe baza për një planifikim të përbashkët dhe të mirëorientuar zhvillimi urban për megazonën e Tiranës, e cila në një kohë jo të largët, do të jetë vendstrehim i gjysmës së popullsisë së vendit dhe që qysh në ditët e sotme, me distancë renditet si rajoni më i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë.

3. A mund të konsiderohen zgjedhjet në Shqipëri „në përputhje me standardet e BE-së“?

Nga ana e BE-së, është theksuar vazhdimisht se zhvillimi korrekt i zgjedhjeve është një test i rëndësishëm për Shqipërinë, për arritjen e synimeve që lidhen me anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Edhe progres-raportet e BE-së për Shqipërinë tregojnë vazhdimisht se duhen ndërmarrë reforma të thella demokratike. Zgjedhjet e fundit, sigurisht se ishin më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në historinë e e Shqipërisë për pushtetin lokal, porse standardet e kërkuara nga BE, mundën të plotësoheshin vetëm në mënyrë të kufizuar.

Përgatitja e zgjedhjeve ishte e ravijëzuar nga shumë kompromise kohore e përmbajtësore, nisur nga mosmbajtja e afateve ligjore për regjistrimin e partive politike. Dita e zgjedhjeve sidoqoftë, mundi të përftohej vetëm me kompromise e favorizime: dyndja e njerëzve në Tiranë, për arsye organizative, mezi u përballua. Votuesve të moshuar iu desh të ktheheshin në shtëpi, për shkak të kushteve të papërshtatshme, pasi ata për shkak të probelmeve të moshës, nuk mund të ishin në gjendje të prisnin aq gjatë, derisa t´u vinte radha për të hedhur votën.

Në disa njësi votimi, hedhja e votës gjatë ditës së votimeve u lejua deri në orën 22.00 ( afati i parashikuar në ligj ishte ora 19.00), pasi përndryshe, vërshimi i njerëzve nuk mund të përballohej dot.

Numërimi i votave në disa bashki e komuna vijoi me javë. Nga gjithsej vetëm 1,5 milionë qytetarë që shkuan të votonin, ky fakt mund të shënohet si një handikap i madh. Shumë vëzhgues zgjedhorë mendojnë madje se standardet në votime dhe në numërimin e votave, edhe në Kosovë janë më të larta.

Reformat demokratike dhe reformat mbi Kodin Zgjedhor duhet të ndërmerren me urgjencë, për të përmbushur kësisoj kriteret e BE-së dhe për të stabilizuar e çuar përpara në Shqipëri, një sistem demokratik. Për këtë arsye, është e rëndësishme që para zhvillimit të Zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2013, të ndërmerren e zbatohen reforma të thella në Kodin Zgjedhor, nga të cilat në qytetet e mëdha mund të mundësohej eventualisht edhe votimi elektronik dhe para së gjithash, të shmangeshin defektet e konstatuara gjatë procesit të votimit dhe procesit të numërimit. Për ndërmarrjen e këtyre reformave, kanë bërë tashmë thirrje në mënyrë direkte, katër partitë e mëdha në Kuvendin e Shqipërisë: PD, PS, LSI dhe PR.

4. Komentet dhe rekomandimet e OSBE-së

Më 15 gusht 2011, Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut pranë OSBE-së, publikoi qëndrimin e saj - të shprehur në një raport prej 30 faqesh - mbi Zgjedhjet Vendore të 8 majit 2011 në Shqipëri.

OSBE ndihmoi në fillim në procesin e përgatitjes dhe mbajtjes së zgjedhjeve dhe vëzhgoi zbatimin e ligjit gjatë procesit zgjedhor. Kjo e fundit vuri në dispozicion një ekip prej 40 bashkëpunëtorësh permanentë - duke ia nisur që nga data 28 mars 2011 - për përgatitjen, zhvillimin dhe numërimin në zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri.

Rekomandimet e OSBE-së me siguri se kanë ndikim të madh në diskutimin politik në Shqipëri dhe në reformat e ardhshme në sferën politike. Ambasadori i BE-së ka deklaruar ndërkohë se rekomandimet e OSBE-së duhet të gjejnë vend në progres-raportin e BE-së, të paraparë të publikohet më 12 tetor 2011.

Në mënyrë të përmbledhur, rekomandimet e OSBE-së përfshijnë pikat e mëposhtme:

  • Partitë politike duhet të dëshmojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Kjo vlen për të gjithë anëtarët e partive në komisionet zgjedhore, edhe për nëpuënsit, të cilëve u janë besuar funksione gjatë procesit zgjedhor. Interesat politike duhet të lihen pas;
  • Një reformë zgjedhore duhet të ndërmerret me urgjencë, për të bërë të mundur përgatitjen sa më të mirë dhe serioze të Zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2013;
  • Një reformë në Kodin Zgjedhor duhet të konkludojë në gjetjen e një formule neutrale ndaj partive politike rreth përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ( KQZ) dhe;
  • Duhet të mbahen parasysh afatet për regjistrimin e partive, të kandidatëve, shtypjen e fletëve të votimit etj.;
  • Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet gjithashtu në këtë frymë, për të qartësuar e rregulluar në mënyrë të saktë e pa ekuivoke, vlefshmërinë dhe pavlefshmërinë e fletëve të votimit;
  • Mediat shtetërore nuk duhet të jenë më bori që u bëjnë jehonë zyrave e agjensive qeveritare apo dhe partive politike;
  • Krerët e familjeve nuk duhet të votojnë më për anëtarët e tjerë të familjes;
  • Kundravajtjet ligjore gjatë procesit zgjedhor duhet të dënohen me penalitete të rënda.
Përveç këtyre rekomandimeve prioritare, nga OSBE-ja u parashtruan edhe 18 pika të tjera të trajtuara si rekomandime, të cilat synojnë rregullimin apo korrektimin në sfera të caktuara që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme.

5. Reformat politike janë të nevojshme me urgjencë

Përgatitjet dhe zhvillimi i Zgjedhjeve për Pushtetin Vendor në Shqipëri, treguan shumë pika të dobëta në Kodin Zgjedhor dhe në sistemin politik të Shqipërisë. Rekomandimet e OSBE-së për reforma të sistemit politik dhe sidomos, për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme, u japin partive të mazhorancës qeverisëse, orientime të rëndësishme, për ta reformuar edhe më tej sistemin politik, për ta demokratizuar dhe modernizuar atë. Partive demokratike dhe qeverisë së vendit u kërkohet të heqin dorë nga konfliktet permanente dhe të përfundojnë bojkotin e anasjelltë. Vetëm kur të ndërmerren reforma të përbashkëta dhe nga Kuvendi të hartohen ligje të reja e që i shërbejnë vendit, do të mundësohet të bëhen hapa vendimtarë në rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë.

Asset Publisher

personi i kontaktit

Walter Glos

Walter Glos

Leiter des Auslandsbüros Türkei

walter.glos@kas.de +90 312 440 40 80 +90 312 440 32 48
Informacione mbi vendin
2011-06-07
lexoni tani

comment-portlet

Asset Publisher

Asset Publisher

për këtë seri

Fondacioni-Konrad-Adenauer është prezent me zyrat e tij në rreth 80 vende në pesë kontinente. Përfaqësuesit e huaj në vend mund të raportojnë direkt për ngjarjet aktuale dhe zhvillimet afatgjata në vendin e tyre të punës . Në " Raportet e vendit " ata u ofrojnë përdoruesve të faqes së internetit të Fondacionit- Konrad-Adenauer ekskluzivisht analiza, informacione dhe vlerësime.

urdhërimin e informacionit

erscheinungsort

Tirana Albanien