Fondacioni „Konrad Adenauer“ në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, organizoi me sukses më datë 19 Maj 2011, në Hotel Rogner, një diskutim në tryezë të rrumbullakët mbi "Shtetin e së drejtës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë". Kjo përbënte në vetvete edhe promovimin dhe diskutimin mbi botimin e një përmbledhje me këtë titull, të një grupi prej tri autorësh shqiptarë të fushës së jurisprudencës, mbështetur nga Fondacioni „Konrad Adenauer“.
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 40 pjesëmarrës, ku spikasnin profesionistë nga Gjykata Kushtetuese, nga Universiteti i Tiranës, njerëz dhe individë nga fusha e politikës dhe asaj të jurisprudencës. Pjesëmarrëse në këtë tavolinë të rrumbullakët ishte edhe Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Zonja Carola Müller-Holtkemper, dhe Zëvendësambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë.
Ambasadorja theksoi gjatë fjalës së saj se shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit, përbëjnë edhe një nga kriteret themelore të pranimit të Shqipërisë në BE. Ajo vuri në dukje rëndësinë e këtij botimi dhe lavdëroi organizimin e aktiviteteve të tilla.
Prof Dr Dhori Kule, Rektor i Universitetit të Tiranës, falënderoi Fondacionin „Konrad Adenauer“ për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin me Universitetin e Tiranës dhe departamentet e veccanta në të. Ai vlerësoi publikimin e librit, si një kontribut pozitiv, jo vetëm të një trajtimi sa më të mirë të termit "shteti i së drejtës", por edhe për ta zbatuar atë në praktikë.
Dr. Cani, një nga tre bashkëautoret e librit "Shteti i së drejtës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë", paraqiti disa aspekte të strukturës dhe përmbajtjes së librit. Libri ka për qëllim të paraqesë për publikun vendas institucionet më të rëndësishme kushtetuese dhe marrëdhëniet e tyre në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë. Në këtë punim, janë përfshirë - përveç analizës së Kushtetutës - edhe vendimet më të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës së Lartë të vendit.
Roli i Parlamentit, Avokati i Popullit, Gjykata Kushtetuese, garantimi i të drejtave të individit në një proces gjyqësor, teoritë interpretative nga Gjykata Kushtetuese, bazuar në përvojën e këtyre 20 viteve të fundit, respektimi i kompetencave të autoriteteve lokale, mbikqyrja dhe kontrolli kushtetues mbi ta, si dhe bashkëpunimi i nevojshëm mes institucioneve në vend, kanë qenë dhe pikat e tjera të prezantimit të saj.
Profesor Xhezair Zaganjori, një anëtar i hershëm i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, shprehu optimizmin e tij dhe gjithashtu foli në mënyrë kritike edhe për gjendjen e sundimit të ligjit në Shqipëri, bazuar në përvojën e tij me ligjin duke sjellë shifra e referenca të marra nga raportetet e huaja.
Diskutimi mbi korrupsionin si një armik i hapur i sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës, zuri një vend të gjerë në këtë tavolinë. Ende hasen vështirësi në zbatimin e ligjeve dhe akoma raportohen shkelje të të drejtave individuale të të pandehurve dhe atyre të njeriut. Media dhe shoqëria civile kanë luajtur një rol të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Promovimi i librit mund të përbëjë një objekt standard pune në Shqipëri, pasi ai trajton së pari aspekte kryesore të punës së institucioneve kryesore të shtetit sipas parimeve kushtetuese dhe përshkruan mekanizmat e funksionimit të tyre në përgjithësi. Zhvillimi i sundimit të ligjit dhe principeve të shtetit të së drejtës në Shqipëri nuk duhet thjesht të bëhet i njohur, por të bëhen përpjekjet maksimale që ai të zbatohet me rigorozitet në realitet.