Asset Publisher

Publikime

GJURMA E HESHTUR E KINËS:

Hartëzimi i ndikimit kinez në politikën lokale dhe peizazhin ekonomik në Kosovë

Ky raport analizon ndikimin e butë të Kinës në Ballkanin Perëndimor përmes optikës së strategjisë së vet madhore, me fokus të posaçëm në Kosovë. Analiza fillon duke eksploruar mënyrën si formulohet strategjia madhore e Kinës në nivel global dhe si përshtatet ajo në nivel rajonal, veçanërisht në Kosovë, me të cilën Kina nuk mban marrëdhënie diplomatike. Një objektiv kyç është të hidhet dritë mbi qasjen e Kinës në rajon, veçanërisht mbi përpjekjet e veta për rritje të ndikimit përmes lidhjeve të biznesit dhe angazhimit në nivel lokal. Duke zbërthyer strategjinë globale të Kinës dhe duke ekzaminuar zbatimin e saj të lokalizuar, studimi synon të shërbejë për zhvillimin e një përgjigjeje të qartë dhe specifike për kontekstin nga qeveria e Kosovës për zbutjen e ndikimit të Kinës, veçanërisht të përpjekjeve që kryhen përmes mjeteve jotransparente.

Asset Publisher

Shpërndaj

Strategjia e Kinës për ushtrim të ndikimit në Kosovë përqendrohet kryesisht në angazhimin ekonomik dhe fushatat e dezinformimit. Gjithsesi, kohëve të fundit, Kina ka shfaqur edhe një prirje për organizim të takimeve me autoritetet lokale dhe për zhvillim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, kulturën dhe artet. Përkundër faktit se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike formale, Kina angazhohet përmes kanaleve të tërthorta, posaçërisht tregtisë, me prirje për krijim të partneriteteve komunale dhe lidhjeve me bizneset lokale. Kjo qasje përputhet me parimin Tao Guang Yang Hui, strategjinë madhore të Kinës që thekson ndjekjen e interesave nacionale duke shmangur konfrontimin e hapur. Për dallim nga qasja agresive e Rusisë, ndikimin e vet Kina e zgjeron në heshtje përmes mekanizmave të fuqisë së butë, duke minimizuar fërkimet politike ndërkohë që e thellon vazhdimisht praninë e vet ekonomike.

Kjo qasje është e rrënjosur në parimin Tao Guang Yang Hui ose strategjinë madhore të Kinës që thekson ruajtjen e një profili të ulët ndërkohë që interesat nacionale i ndjek në heshtje. Sipas kësaj doktrine, Kina kërkon përfitime në rritje duke shmangur veprimet që mund të ngjallin dyshime, të provokojnë rezistencë ose të detyrojnë marrjen e zotimeve politike që mund t’i minojnë prioritetet e veta të brendshme. Kjo bën dallim të thellë nga strategjia haptazi kërkuese dhe konfrontuese e Rusisë.

Edhe pse Kina dhe Rusia shpesh grupohen së bashku si ndikime të jashtme ose malinje në Kosovë, strategjitë dhe objektivat e tyre ndryshojnë ndjeshëm. Rusia ndjek një qasje konfrontuese, duke synuar mbajtjen një rrjeti të aleatëve dhe veglave në mbarë Ballkanin Perëndimor si kundërpeshë ndaj ndikimit perëndimor dhe të SHBA-së. Në vend që të angazhohet drejtpërdrejt në Kosovë, Rusia e trajton vendin si një pikë të nxehtë gjeopolitike, duke i avancuar interesat e veta përmes partneriteteve rajonale dhe përafrimit politik. Për dallim, qasja e Kinës ndjek strategjinë e vet madhore Tao Guang Yang Hui, duke theksuar ndikimin subtil dhe afatgjatë. Ajo përdor mjete të tilla si investimet e huaja direkte, tregtia, partneritetet e biznesit dhe bashkëpunimi në nivel komunal, varësisht se çka është e realizueshme. Duke anashkaluar institucionet nacionale dhe shpesh duke u angazhuar drejtpërdrejt me akterë lokalë, Kina e minimizon kundëveprimin politik, ndërkohë që e thellon gradualisht praninë dhe ndikimin e vet.

Ky punim ekzaminon strategjitë e përveçme të Rusisë dhe Kinës në Kosovë, me fokus të posaçëm në rolin në zgjerim të Kinës përmes bashkëpunimit ekonomik dhe angazhimit të vet në rritje me institucionet e nivelit lokal. Duke bërë krahasime me përfshirjen më të gjerë të Kinës në mbarë vendet e Ballkanit Perëndimor - ku prania e saj është shpesh më e dukshme dhe me ndikim, si në Serbi - analiza nxjerr në pah si e përshtat Kina strategjinë e vet madhore globale në kontekstet rajonale dhe lokale. Edhe pse Kina nuk mban marrëdhënie diplomatike me Kosovën, nuk ka bërë investime dhe Kosova nuk është pjesë e kornizës 16+ të Iniciativës “Një Brez, Një Rrugë”, Kina mbetet aktive në bashkëpunimin tregtar dhe synon gjithnjë e më shumë partneritete në nivel lokal, veçanërisht në fushat ekonomike, kulturore dhe artistike. Punimi eksploron mënyrat si i ndërton Kina marrëdhënie me komunat dhe bizneset, shpesh duke vepruar në mënyrë diskrete, për ta zgjeruar fuqinë e vet të butë dhe për të ndikuar në perceptimin publik, veçanërisht në nivel të komunitetit.

Prania e Kinës në Ballkanin Perëndimor është rritur vazhdimisht gjatë dekadës së fundit, veçanërisht përmes Iniciativës së vet “Një Brez, Një Rrugë”, e cila shërben si mjeti parësor për angazhimin me shtetet e rajonit. Përtej motiveve ekonomike, këto investime janë pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike që ka prirjen të formësojë normat dhe institucionet globale dhe të sigurojë mbështetje në forume ndërkombëtare si OKB-ja nga shtete më të vogla si ato në Ballkanin Perëndimor. Ky ndikim në rritje duhet parë edhe në kontekstin e tensioneve globale në rritje, ku po merr formë një rend botëror i dyzuar, që të kujton Luftën e Ftohtë. Me luftën në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, Kina i ka intensifikuar përpjekjet për ta sfiduar dominimin financiar të SHBA-së. Kështu, Ballkani Perëndimor shfaqet jo vetëm si korridor strategjik për në Evropë, por edhe si rajon kritik ku ndikimi në zgjerim i Kinës mund ta sfidojë drejtpërdrejt BE-në dhe praninë më të gjerë perëndimore.

Asset Publisher

comment-portlet

Asset Publisher

Asset Publisher