Qëllimi i këtij libri është të eksplorojë dhe shtjellojë ndërtimin e kombit dhe formimin e shtetit, si koncepte, por edhe si procese, të bazuara në një kontekst historik dhe hapësinor, si dhe të lidhura me mjediset politike, ekonomike, ushtarake dhe shoqërore. Për më tepër, libri synon të kontribuojë në studimin e kombit dhe shtetit, bazuar në qasje të ndryshme teorike dhe këndvështrime akademike, pasi kombi dhe shteti, si dukuri ashtu edhe si koncepte, janë koncepte thelbësore në studimin e shkencave politike. Sidoqoftë, këto nocione nuk mund të studiohen pa trajtuar origjinën, përmbajtjen dhe arsyet e ekzistencës së tyre. Prandaj, ky libër shikon më nga afër faktorët dhe akterët e ndryshëm që ndikojnë dhe përcaktojnë se kur dhe si u formuan kombet dhe shtetet.
Edhe pse procesi i shtetformimit në disa raste të caktuara ishte më i hershëm, vala më e madhe ndodhi në fillim të shekullit XX, ndërsa interesimi akademik e shkencor për këto procese ishte edhe më i vonshëm. Çështjet që vazhdojnë të shtrohen e të diskutohen gjerësisht kanë të bëjnë me konsolidimin, kapacitetet dhe zhvillimin e shteteve si garantuese kryesore për sigurinë, arsimimin, shëndetësinë dhe për mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve. Ndërkaq, çështja kombëtare mbetet ende njëra ndër preokupimet qenësore në politikën dhe jetën e përditshme të shumë shoqërive, gjë që dëshmon se proceset kombformuese e shtetformuese nuk janë vetëm zhvillime historike dhe se i takojnë të së kaluarës, por ato vazhdojnë të mbesin Akoma ndër çështjet më thelbësore të organizimit tonë shoqëror, kulturor, ekonomik, diplomatik dhe politik. Së këndejmi, ato paraqesin fusha studimi të shumanshme, pa të cilat nuk mund të kuptohen dhe të sqarohen edhe shumë dukuri, procese e çështje të tjera të sotme.
Kombformimi dhe shtetformimi, me gjithë faktin se shpesh përdoren ose thënë më saktë ngatërrohen për të përkufizuar të njëjtën gjë, ato në esencë janë të ndryshme si nocione ashtu edhe si procese. E para përfshin një proces dhe koncept shumë më të gjerë dhe më shumëdimensional, që nënkupton përveç tjerash edhe përkatësinë, besnikërinë dhe identifikimin e popullit si bashkësi politike ose edhe kulturore me shtetin ku jeton. Kështu, për shembull, në gjuhën angleze termi “nation-building” merret si proces i formimit të kombit dhe njëkohësisht të shtetit, që për bazë marrin modelin perëndimor të krijimit të kombshtetit (nation-state). Ishin pikërisht përfaqësuesit amerikanë të qasjes së modernizmit ata që viteve ‘60 e sajuan konceptin e “nation-building”, me të cilën gjë nënkuptonin domosdoshmërinë e transformimit të shoqërisë prej asaj tradicionale në atë modern përmes formësimit institucional, legal e social. Gjithashtu, ata e përdornin këtë nocion kryesisht që të përshkruanin nevojën e shteteve të sapo pavarësuara dhe të çliruara nga kolonizimi, me ndihmën e të cilit koncept këto shoqëri do të duhej t’i konstituonin institucionet shtetërore dhe të krijonin kombin e tyre. Prandaj, në këtë kuptim, “komb-formimi” ishte sinonim i shtetformimit dhe kuptohej si një lloj mekanizmi dhe mënyre që mundëson dhe konsolidon shtetformimin. Gjithashtu, duhet thënë se me konceptin e shtetformimit zakonisht përkufizohen aspektet institucionale, legjislative, si dhe organizimi politik, megjithëse shtetformimi mund të merret si synim parësor I secilit komb, pra të krijimit të shtetit të vet kombëtar. Në shumë raste, nëse jo edhe në shumicën e tyre, shtetformimi i parapriu kombformimit, edhe pse ka mjaft raste historike që e dëshmojnë edhe të kundërtën. Këto dy fenomene ishin rezultat i veprimeve dhe i vendimeve (jo rrallë arbitrare) politike dhe ushtarake, që ishin dhe mbesin shkaqe të luftërave të përgjakshme dhe konflikteve të panumërta. Në shkencat politike ekzistojnë një mori tezash dhe konceptesh mbi këto dy çështje. Në një njërën anë mbi kombformimin janë të njohura teoritë moderniste, primordialiste dhe etnosimboliste dhe në anën tjetër mbi shtetformimin pikëpamje teorike të ndryshme të studiuesve të shumtë, të cilat do të trajtohen më thellësisht në libër.
Libri ndahet në katër pjesë me gjithsej 12 kapituj, ku përfshihen çështjet kryesore që ndërlidhen me dukuritë dhe proceset e studimit tonë. Fillimisht, në kreun e parë do të thellohemi tek kombi duke nisur me përkufizimet e shumta të saj, me historikun dhe kontekstin e zhvillimit të ideve, nocionit dhe shkollave të ndryshme të mendimit mbi të, për të vazhduar në kapitullin vijues, me qasjet kryesore teorike, shtruar nga përfaqësuesit më të spikatur të tyre. Më pas do të shtjellohet çështja e identitetit, si atij kombëtar ashtu edhe shtetësisë, parë nga prizmi i ndërveprimit dhe marrëdhënieve të tyre. Në pjesën e dytë do të shtjellohet nocioni i shtetit, duke e trajtuar atë nga këndvështrimi ideor e historik dhe duke u zgjeruar më tutje rreth dimensioneve kyç të saj, si ai institucional, ekonomik, kulturor e deri te çështjet e legjitimitetit dhe raportit me shoqërinë. Kapitulli pasues trajton shtetndërtimin si parim themelor në rendin aktual botëror, me sfidat dhe zhvillimet e shumta që ndodhin në këtë aspekt. Duke i pasqyruar e sqaruar këto me raste të shumta studimore, rrethana historike e zhvillime bashkëkohore dhe duke i krahasuar këto në aspekte të ndryshme të analizës. Në pjesën e tretë të librit rëndësi e veçantë do t’i kushtohet Kosovës, si për nga procesi i saj shtetformues, ashtu edhe për nga çështja e hapur dhe mjaft shpesh e kontestuar e identitetit të saj. Në kreun e fundit të librit do të flitet rreth dinamikave aktuale e dimensioneve thelbësore si në rrafshin global, ashtu edhe evropian, lidhur me temat tona boshte, të cilat mund të ndikojnë në të ardhmen si të shteteve, ashtu edhe të kombeve, ose edhe të dyjave njëkohësisht. Me një përmbledhje reflektuese dhe kritike, kapitulli i fundit shërben si ftesë për diskutim të hapur, lexim e studime të mëtejshme për temat e shtjelluara në libër, si dhe të shumë çështjeve të papërfshira me këtë kontribut modest në këtë fushë studimi tejet pak të hulumtuar.