Bashkëpunimi ose përafrimi mes Kinës dhe Rusisë është dokumentuar nga hulumtimet ekzistuese,përfshirë edhe ato për Ballkanin Perëndimor. Ky punim i shtohet këtij diskutimi, duke e parë këtë përafrim nga perspektiva e Kosovës. Një raport i kohëve të fundit nga Krstinovska et.al., “Orientimi në botën multipolare: Evropa Juglindore në Strategjinë e BE-së për Kinën”, tregon se roli i Kinës në rajon duhet të vlerësohet edhe përmes sjelljes së vendeve në forumet shumëpalëshe, përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB). Raporti tregon se vendet e Evropës Juglindore “mbajnë qëndrime të ndryshme në mjedise shumëpalëshe”. Shqipëria, Kroacia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në përgjithësi janë në pajtim me iniciativat e udhëhequra nga Perëndimi që janë kritike ndaj Kinës, ndërsa Serbia vazhdimisht mban anën e Pekinit kurse Greqia vazhdon të jetë e kujdesshme ose abstenon”.
Hulumtimi ka shqyrtuar përafrimin e Kinës dhe Rusisë në Kombet e Bashkuara. Kjo nuk do të thotë që Kina dhe Rusia veprojnë gjithmonë përmes koordinimit formal, por tregon se OKB-ja është një nga arenat kryesore ku pozicionet e tyre mund të përputhen dhe ku aktorët rajonalë mund të japin sinjale për orientimin e tyre më të gjerë gjeopolitik. Në këtë kuptim, ky punim ndihmon në forcimin e argumentit se prania e Kinës në Evropën Juglindore është ekonomike dhe dypalëshe, dhe e ka një dimension të fortë shumëpalësh.
Si Kina ashtu edhe Rusia kanë një prani të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor, përfshirë në sektorët ekonomikë dhe strategjikë. Të dyja vendet duket se ndajnë gjithashtu pikëpamjen se një bashkërendim më i fuqishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në rajon bie ndesh me interesat e tyre. Për këtë arsye, si Moska ashtu edhe Pekini përfitojnë nga dobësimi i unitetit transatlantik, veçanërisht kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor.