Publikimi “Qasjet e politikave publike në uljen e rrezikut për investimet private në energjinë e ripërtërishme në Kosovë” e trajton zvogëlimin e rrezikut si një proces të disiplinuar të alokimit të rrezikut publik, dhe jo si një paketë të përgjithshme garancish dhe lehtësimesh për investitorët. Duke marrë parasysh kontekstin e politikave të Bashkimit Evropian dhe të rajonit për energjinë e ripërtëritshme, si dhe kushtet aktuale të sektorit energjetik në Kosovë, studimi analizon peizazhin e rreziqeve, instrumentet e mundshme të politikave dhe zbatimin e tyre në modele të ndryshme të investimeve.
Publikimi identifikon tri kategori kryesore të rrezikut. Kategoria e parë përfshin rreziqet që burojnë nga sistemi publik, si mungesa e informacionit të qartë për kapacitetet e rrjetit, radhët e mbyllura për kyçje, paqartësitë lidhur me përgjegjësitë për lejet, mungesa e legjislacionit sekondar, interpretimet jokonsistente institucionale dhe rregullat e paqarta për ruajtjen e energjisë, projektet hibride, vetëkonsumin, prokurimin korporativ të energjisë së ripërtëritshme, kufizimin e prodhimit dhe përgjegjësinë për balancim. Studimi argumenton se këto rreziqe duhet të zvogëlohen në radhë të parë përmes qeverisjes më të mirë, rregullimit, transparencës dhe koordinimit institucional, dhe jo përmes garancive ose subvencioneve publike.
Kategoria e dytë përfshin rreziqet sistemike dhe tranzicionale. Këtu hyjnë pasiguritë e investitorëve të parë në skemat e reja mbështetëse, shqetësimet lidhur me pagesat në kuadër të mekanizmave publikë ose të rregulluar, kufizimet e prodhimit në nivel sistemi, investimet në përforcimin e rrjetit që krijojnë përfitime më të gjera publike dhe pasiguritë fillestare të të ardhurave për projektet e ruajtjes së energjisë dhe fleksibilitetit. Në raste të tilla, ndarja e synuar e rrezikut me sektorin publik mund të jetë e arsyeshme, por instrumentet duhet të jenë të kufizuara, të përcaktuara në kohë, transparente dhe të lidhura me vlerë të matshme publike.
Kategoria e tretë përfshin rreziqet komerciale private, si tejkalimi i kostove të ndërtimit, përzgjedhja jo e duhur e lokacionit, vlerësimi i dobët i potencialit të prodhimit, gabimet inxhinierike, performanca e dobët e teknologjisë, dështimi i kontraktorëve, ofertat tepër agresive në ankande, rezervimi spekulativ i kapaciteteve të rrjetit, ekspozimi normal ndaj çmimeve të tregut dhe kthimet e pritshme të kapitalit. Këto rreziqe duhet të mbeten përgjegjësi e zhvilluesve, investitorëve, huadhënësve, kontraktorëve, furnizuesve dhe operatorëve që i kontrollojnë ato ose paguhen për t’i menaxhuar.
Bazuar në këtë kornizë, publikimi rekomandon zhvillimin e një doktrine kombëtare për alokimin e rrezikut në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë. Parimi kryesor është i qartë: rreziqet e krijuara nga dobësitë e sistemit publik duhet të zvogëlohen nga sektori publik; rreziqet e caktuara sistemike dhe tranzicionale mund të ndahen kur ekziston një vlerë e qartë publike; ndërsa rreziqet normale komerciale duhet të mbeten te aktorët privatë.
Një qasje e tillë mund ta ndihmojë Kosovën të ndërtojë një treg më transparent, të parashikueshëm dhe financiarisht të qëndrueshëm për energjinë e ripërtëritshme, duke mbrojtur njëkohësisht burimet publike. Zvogëlimi efektiv i rrezikut nuk duhet të shndërrohet në shpëtim publik të investimeve private, por në një ndarje të qartë dhe të disiplinuar të përgjegjësive që mundëson investimet dhe siguron që ndërhyrja publike t’u shërbejë objektivave të identifikueshme publike.