Asset Publisher

Titujt

Vlerësimi i implikimeve të kostove të programit të qeverisë së Kosovës

Objektivi i këtij raporti të shkurtër është vlerësimi i kostove të programit të qeverisë kundrejt situatës aktuale ekonomike, buxhetit dhe Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KAMSH). Ky raport kontribuon në përmirësimin e performancës dhe llogaridhënies në lidhje me arritjen e caqeve dhe objektivave. Raporti gjithashtu nënvizon shkurtimisht disa prej risqe që lidhen me fushat e intervenimeve dhe burimet e mundshme të financimit.

Asset Publisher

Vlerësimi i planit të kostove të programit qeverisës është i një rëndësie tepër të madhe për përmirësimin e performancës dhe llogaridhënies në arritjen e objektivave dhe objektivave të këtij programi. Vlerësimi i kostove mund të jetë një hap krucial i procesit të formulimit të programit qeveritar, i cili u lejon vendimmarrësve të marrin në konsideratë shkallën në të cilën objektivat e politikave dhe orientimet strategjike janë të realizueshme dhe të përballueshme. Procesi i përcaktimit të kostove të një programi duhet të konsiderohet si pjesë esenciale e procesit të planifikimit dhe jo të ndërmerret pasi plani i përgjithshëm të jetë përfunduar dhe paraqitur si dokument i finalizuar.

Për ta plotësuar këtë hendek, fokusi i këtij raporti është në një vlerësim ex-ante të kostove të lidhura me zonat e përzgjedhura për intervenime dhe burimet e mundshme të financimit siç propozohen nga programi i qeverisë. Ky vlerësim do të përpiqet të vlerësojë në mënyrë kritike supozimet dhe risqet që lidhen me programin e qeverisë. Duke e bërë këtë, do të informohet publiku i gjerë dhe do të nisë një debat i informuar që në fund do të çonte në monitorim, transparencë dhe llogaridhënie më të mirë. Vlerësimet e kostove janë të nevojshme për programet qeveritare për shumë arsye: për të mbështetur vendimet për financimin e një projekti kundrejt një tjetri, për të zhvilluar një buxhet vjetor, për të vlerësuar kërkesat për burime në pikat kruciale, si dhe për të zhvilluar bazat për matjen e performancës. Për më tepër, të paturit e një vlerësimi real të kostove të parashikuara siguron alokim efektiv të burimeve dhe rrit probabilitetin e suksesit të një programi.

Zhvillimi i vlerësimeve të besueshme të kostove nuk është një praktikë tradicionale në Kosovë. Zakonisht qeverive u ka munguar vullneti për të ofruar vlerësime të besueshme të kostove, të cilat do të përbënin një burim thelbësor informacioni për përpjekjet për të kërkuar llogaridhënie. Gjithashtu, vlerësimi i kostove është sfidues pasi kërkon kohë dhe burime. Programet e qeverisë në mënyrë karakteristike bazohen në supozime joreale, veçanërisht në lidhje me kompleksitetin ose vështirësinë e futjes së politikave të reja. Gjithashtu, programet bazohen në një kulturë optimizmi, e cila, përveç disa meritave, mund të çojë edhe në mbivlerësimin e aftësisë së qeverisë që t’i realizojë detyrat përkatëse. Mund të rezultojë edhe në nënvlerësim të risqeve, çka mund të çojë në zhvillimin e vlerësimeve joreale të kostove dhe afateve.

Për të zbutur siç duhet riskun që vjen nga ky optimizëm, është thelbësore të kemi një pamje të pavarur të programit. Teksa ky funksion mund të kryhet edhe nga organizata të jashtme si Riinvest, është prapëseprapë e rëndësishme që qeveria të jetë e gatshme t’i adresojë dhe t’i kuptojë risqet me të cilat përballet programi i saj. Të paturit e një pikëpamjeje të pavarur për programin mund të ndihmojë në zbulimin e veprimeve që munden potencialisht ta kufizojnë aftësinë e qeverisë për të pasur sukses.

Ky raport është përgatitur në bazë të të dhënave që mund të kuantifikohen nga programi i qeverisë, të shtuara nga të dhënat nga burimet zyrtare, kryesisht Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Në disa raste, autorët kanë bërë supozime të caktuara për të llogaritur informacionin e munguar ose për të ofruar një skenar. Të gjitha ato raste janë etiketuar siç duhet. Raporti është organizuar si më poshtë: seksioni 1 paraqet orientimet kryesore të programit qeveritar. Seksioni i dytë jep një pasqyrë të programit të qeverisë kundrejt situatës fiskale të vendit. Seksioni i tretë ofron një përcaktim paraprak të kostove të disa prej elementeve të programit të qeverisë dhe të implikimeve buxhetore. Gjetjet kryesore dhe rekomandimet e politikave janë paraqitur në mënyrë koncize në përmbledhjen ekzekutive.

Asset Publisher

comment-portlet

Asset Publisher

Asset Publisher