Asset Publisher

Publikime

Rrënimi i Autonomisë së Kosovës 1989 – 1991

dhe pasojat për idenë e integrimit evropian

Një analizë e rrënimit të Autonomisë së Kosovës dhe pasojave të tij, nga Joseph Marko. Publikimi është në dispozicion në shqip, anglisht dhe serbisht.

Asset Publisher

Një parathënie nga Autori

 

 

Ky publikim shërbeu si raport, i porositur fillimisht nga Zyra e Prokurorisë (ZP) e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) në përgatitje për aktakuzën dhe procedurat kundër Milan Milutinoviqit (Milan Milutinović), Dragoljub Ojdaniqit (Dragoljub Ojdanić) dhe Nikolla Shainoviqit (Nikola Šainović), si dhe kundër Sllobodan Millosheviqit (Slobodan Milošević). Opinioni i dëshmitarit ekspert u porosit për të përgatitur një pasqyrë të kontekstit historik të zhvillimit të sistemit kushtetues të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) dhe statusit kushtetues të Kosovës brenda këtij sistemi federativ deri në shpërbërjen e tij në vitin 1991 dhe miratimin e kushtetutës së re të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) të vitit 1992. Prej fillimit ma bënë të qartë se praktikohen rregullat e procedurës penale anglosaksone. Pra, gjyqtarët zyrtarisht nuk lexojnë asgjë paraprakisht për kontekstin historik, domethënë faktik dhe politik, por i dëgjojnë dhe përfundimisht i vlerësojnë të gjitha ato që në gjuhë ligjore quhen „fakte të vërtetuara” në bazë të prezantimeve gojore të dëshmitarëve të sjellë si nga prokuroria ashtu edhe nga avokatët mbrojtës, si dhe nga ekzaminimi i mundshëm i kryqëzuar nga njëra apo të dyja palët në një procedurë të tillë kundërshtuese. Për më tepër, është edhe një karakteristikë e dytë e rregullave anglosaksone të procedurës penale që duhet të merret parasysh, përkatësisht mundësia e marrëveshjes për pranimin e fajësisë në mënyrë që prokuroria dhe mbrojtja të mund të dakordohen t’i lënë mënjanë provat faktike të cilat nuk do të paraqiten më pas në seancat gjyqësore.

 

Këto vëzhgime duhet ta bëjnë të qartë se produkti përfundimtar, aktgjykimi, qoftë për shpallje të fajësisë apo të pafajësisë, dhe në veçanti arsyetimi i tij ligjor që e shpjegon dhe arsyeton këtë vendim, mund të mos ofrojë një pamje të plotë të ngjarjeve në shqyrtim dhe për këtë arsye nuk e përfaqëson domosdoshmërisht atë që quhet ,,e vërteta materiale” në rregullat e procedurës penale në Evropën kontinentale. Andaj, nuk është çudi që personat e shpallur fajtorë dhe të dënuar me burg, familjet dhe komunitetet e tyre etnike, për të mos folur për ,,kombe” të tëra të cilëve ata deklarojnë se u „përkasin” ose të cilët ata konsiderohet si i „përfaqësojnë”, nuk do ta besojnë „të vërtetën” dhe rrjedhimisht drejtësinë e vendimit. Ose siç u shpreh një nga të paditurit para TPNJ-së: „Ju keni faktet tuaja. Ne kemi faktet tona. Ju keni të drejtën e plotë të zgjidhni ndërmjet dy versioneve ...”, duke shprehur kështu në mënyrë të përsosur hendekun mes njohurive dhe pranimit të mundësive empirike dhe normative, të cilat duhet të përputhen për të krijuar legjitimitetin e cilësdo gjykate penale, qoftë lokale apo ndërkombëtare.

 

Por TPNJ-ja është kritikuar pak a shumë shumë edhe në literaturën akademike për shkak të mungesës së këtij legjitimiteti „sociologjik”. Dënimet për fajësi si dhe për lirim u panë si tepër „të individualizuara dhe të dekontekstualizuara” nga procedurat penale dhe, në fund të fundit, të shqiptuara pa programet e nevojshme informuese për t’ua shpjeguar shoqërive të ndryshme të shteteve pasardhëse të RSFJ-së. Kështu, siç argumentuan kritikët, gjykimet e tribunalit nuk u pranuan kurrë politikisht në shoqëritë përkatëse, siç tregojnë disa anketa të opinionit dhe për këtë arsye nuk mund të kontribuojë në drejtësinë tranzicionale në aspektin e pajtimit pas k­onfliktit të dhunshëm ndëretnik.

 

Pra , pse duhet të publikohet ky raport i dëshmitarit ekspert pothuajse 20 vjet më vonë? Më shumë se tri dekada pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare për t’i parandaluar dhe ndalur luftërat e ndryshme në territoret e shteteve pasardhëse të saj, si dhe për të mbështetur përmes „evropianizimit” transformimin e tyre në shtete me sundim të ligjit, demokraci dhe ekonomi të tregut, , ngjarjet e fundit politike që kërcënojnë me dhunë masive në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, por edhe ngjarjet në mbarë Evropën, na tregojnë se jemi duke dëshmuar të ashtuquajturin „regres demokratik”. Në vend të „stabilizimit të demokracisë” siç ishte parashikuar nga „teoritë e transformimit” në vitet 1990, sërish po shohim populistë nacionalistë në pushtet, të cilët kanë vendosur regjimet e tyre autoritare nën etiketën eufemiste „demokracia joliberale” dhe duke e mbytur lirinë e informimit përmes shtypit dhe mediave të pavarura politikisht, duke manipuluar zgjedhjet e përgjithshme, si dhe duke i kapur burimet ekonomike të vendit përkatës. Në këtë mënyrë ata mund ta (keq)përdorin pushtetin pothuajse monopolist që e kanë fituar rishtazi në ekonomi dhe politikë, për formimin e një „lidershipi” të fortë ekzekutiv dhe „reformën” e gjyqësorit me qëllim stabilizimin e pushtetit politik të partisë së tyre politike apo të koalicionit qeverisës kundër ndryshimit të qeverisë dhe opozitës në zgjedhjet e ardhshme, çka është karakteristika bazë e pluralizmit politik si „esencë” e demokracisë. Andaj, ia vlen të citojmë një raport të Institutit për Studime Evropiane në Beograd nga raporti i mëposhtëm i dëshmitarit ekspert në lidhje me kushtetutën serbe të vitit 1990:

 

„Kushtetuta e Serbisë e miratuar në vitin 1990, e cila ishte rezultat normativ i nacionalizmit autoritar dhe populist, është shembull paradigmatik i abuzimit të ligjit për të siguruar vazhdimësinë e një regjimi politik.  ... forma e saj demokratike ... pritej të siguronte strukturën autoritare të qeverisjes bazuar në udhëheqjen e një njeriu. ... Parlamenti është kryesisht një simulim i demokracisë. Vendimet kryesore politike merren nga një person i vetëm, Presidenti i Republikës, ndërsa roli i Parlamentit është që këtyre vendimeve t'u japë një imazh të kushtetutshmërisë ... Regjimi ka nevojë për Kushtetutën, parlamentin dhe qeverinë në radhë të parë për të legalizuar dhe institucionalizuar pushtetin e vet.”

 

Si përfundim, a po bëjmë sërish të njëjtat gabime? Duke mos kuptuar se që nga fillimi pas rënies së regjimeve komuniste në Evropën Qendrore Lindore dhe Juglindore komunizmi nuk u zëvendësua domosdoshmërisht nga liberalizmi, demokracia dhe sistemet e tregut siç kishin parashikuar, ose për ta thënë më mirë, siç shpresonin teoritë e transformimit, por nga mobilizimi pak a shumë politik i elektoratit në baza të ndjenjave (etno-)kombëtare të cilat jo vetëm çuan në „divorc” paqësor të Çekosllovakisë, por edhe në konflikte dhe luftëra etnike në territoret e ish-RSFJ-së. Pas 30 vitesh punë si studiues dhe praktikues në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, me fokus të veçantë në Evropën Juglindore, kam bindjen e sinqertë se krijimi i kushtetutave për mekanizma të ndarjes së pushtetit, siç u bë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, është një përpjekje e nevojshme pas konfliktit të dhunshëm etnik. Por ndarja e pushtetit nuk është e mjaftueshme për të „ruajtur” paqe negative, për shembull, me forca paqeruajtëse të OKB-së të dislokuara në „zona tampon” dhe komunitete „etnike” të ndara territorialisht, institucionalisht dhe në arsim, siç ndodh edhe në Qipro edhe sot, pavarësisht se është një vend anëtar i BE-së prej gati njëzet vjetësh. Paqja pozitive në aspektin e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndëretnik nuk mund të arrihet vetëm me masa ndëshkuese në drejtim të drejtësisë ndëshkuese, por ka nevojë për drejtësi restauruese përmes masave të pajtimit për të parandaluar „hakmarrjen ndër gjenerata”. Ose, siç u shpreh kjo nga Presidenti i parë i TPNJ-së, Antonio Cassese, „ ... ndjenjat e urrejtjes dhe pakënaqësisë që digjen nën sipërfaqe, herët a vonë, do të shpërthejnë dhe do të çojnë në dhunë të përtërirë”. Gjithashtu, Bashkimi Evropian e ka postulat se drejtësia tranzicionale do të jetë „pjesë integrale e ndërtimit të shtetit dhe paqes [që] duhet gjithashtu të ngulitet në reagimin më të gjerë ndaj krizave, parandalimin e konflikteve, sigurinë dhe përpjekjet zhvillimore të BE-së”.

 

Andaj, publikimi i raportit të dëshmitarit ekspert i shërben një qëllimi të dyfishtë:

 

Së pari, kur gjyqtarët e vetëm ose panelet e gjyqtarëve „përcaktojnë faktet”, raporti do të tregojë se vendimi për atë që është e vërtetë apo jo nuk është i lehtë. Kështu, gjatë leximit të aktgjykimeve kundër Milan Milutinoviqit dhe Sllobodan Millosheviqit dhe arsyetimit ligjor të bazuar në dëshmitë dhe ekzaminimin e kryqëzuar të dëshmitarëve okularë, ky raport do të ndihmojë për t’i „kuptuar” jo vetëm ndërlikimet e sistemit anglosakson të procedurës penale, por aq më tepër detajet faktike të përmendura nga këta dëshmitarë me më shumë apo më pak saktësi dhe, çka është më e rëndësishmja, provat faktike të munguara dhe të nevojshme për të siguruar një pasqyrë të plotë të ngjarjeve përtej akteve të vetme dhe të fragmentuara të vlerësuara nga gjyqtarët nëse kanë qenë vepra penale individuale apo jo. Leximi vetëm i këtyre aktgjykimeve pa një „përgjithësim narrativ” të bazuar në një analizë „gjithëpërfshirëse” — që rrjedh nga metodat shkencore që ofron ky raport — në të vërtetë do të krijojë një përshtypje të mirë pse „individualizimi” i nevojshëm normativ dhe „dekontekstualizimi” i pretenduar nga procedurat e TPNJ-së, nuk u „pranuan” si përpjekje „për gjetjen e të vërtetës” nga elitat politike dhe shoqëria në përgjithësi. 

 

Një shembull që trajton temën e raportit të dëshmitarit ekspert, përkatësisht shfuqizimin e autonomisë territoriale të Kosovës të garantuar sipas kushtetutës federative jugosllave të vitit 1974, duhet të mjaftojë për qëllim të ilustrimit.

 

Më 3 maj 2002, ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, u thirr për të dëshmuar dhe për të raportuar për ngjarjet në lidhje me debatin parlamentar në Kuvendin e Kosovës për „pezullimin e statusit federativ të Kosovës, përkatësisht statusit autonom të Kosovës” më 28 mars 1989. Ai tregoi për presionin për faktin se në ndërtesën e Kuvendit kishte polici dhe deputetët duhej të votonin nën presion. Gjithashtu se kishte „demonstrata në këtë kohë, në 1989” ku „disa u plagosën dhe rreth 20 u vranë”. Për më tepër, ai raportoi se u morën „masa të posaçme apo masa të jashtëzakonshme” me „suspendimin e disa institucioneve” dhe „vënien e kontrollit policor në Kosovë”. Për më tepër, „Policët shqiptarë të Kosovës u pushuan nga puna, në vitin 1991 u pushuan të gjithë”. Në vijim ai raportoi për „Deklaratën Kushtetuese, apo Deklaratën për Pavarësi, e cila kërkon që Kosova të bëhet republikë e pavarur e barabartë me ish-republikat e tjera të ish-Federatës”.

 

Megjithatë, gjyqtari Robinson nuk u mjaftua me këtë përgjigje dhe i kërkoi „Dr. Rugovës” të sqarojë përgjigjen e tij lidhur me statusin kushtetues të Kosovës: „Në vitin 1990, Kosova e shpalli veten entitet të pavarur brenda Jugosllavisë, e barabartë me republikat e tjera. Ky është një status që duhet dalluar nga pavarësia.” Në përgjigjen e tij, „dëshmitari” përsëriti: „Ne e shpallëm Kosovën — në atë kohë ekzistonte ende ish-Jugosllavia, Federata, dhe kështu, edhe Kosova duke qenë republikë ose shtet i pavarur, do të kishte marrëdhënie me republikat e tjera”.  Nuk është befasi që Sllobodan Millosheviqi në ekzaminimin e tij të kryqëzuar iu kthye pyetjes nëse Ibrahim Rugova po i referohej Kosovës që bëhej një republikë e barabartë brenda kornizës së RSFJ-së apo shtet i pavarur përmes shkëputjes nga „Serbia”.

 

Pra, a është e mundur që në bazë të kësaj dëshmie të dëshmitarit dhe ekzaminimit të kryqëzuar të „përcaktohen faktet” pa shpjeguar doktrinat e të drejtës ndërkombëtare publike dhe të drejtës kushtetuese të RSFJ-së në lidhje me çështjen nëse parimet e sovranitetit të shteteve dhe të vetë-vendosjes së popujve e përfshijnë ndarjen, siç bën raporti im si dëshmitar ekspert? Dhe cili mund të ketë qenë dallimi mes „masave të posaçme dhe masave të jashtëzakonshme” që sqarohet edhe nga raporti? Sa i përket hamendësimit të shifrave të policëve dhe punonjësve të tjerë të pushuar nga puna, raporti im përpiqet t’u përgjigjet të gjitha këtyre pyetjeve ligjore dhe empirike në bazë të hulumtimit të kujdesshëm të burimeve të marra nga vetë Gazetat Zyrtare të Serbisë dhe Kosovës. Meqë ra fjala, kjo vërteton deklaratën e Institutit për Studime Evropiane në Beograd të cituar më sipër për përpjekjet e regjimit për t’i „legalizuar” masat e veta antikushtetuese.

 

Kështu, nuk është befasi që anketat e opinionit në Serbi dhe Kosovë të cituara më lart e konfirmojnë refuzimin e gjetjeve të TPNJ-së dhe tribunaleve të tjera penale për shkak të anshmërisë etnike të formave të dëshiruara të drejtësisë që janë thelbësisht të papajtueshme kur, për shembull, serbët në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kosovë, me të drejtë pretendojnë se konflikti nuk ishte i njëanshëm dhe se krimet janë kryer nga „të dyja palët”. Megjithatë, ajo që i kthen këto pretendime në një barazim të pajustifikueshëm të krimeve, duke mjegulluar kështu vijat ndarëse mes agresorit dhe viktimave apo edhe duke çuar në përmbysjen e kësaj marrëdhënieje, janë pretendimet për reciprocitetin matematikor etnik të personave nën aktakuzë dhe vendimeve të fajësisë dhe lirimit përmes gjykatave që çojnë në pohimin se anëtarët e vetë grupit do të ishin viktimat „e vërteta” nëse nuk do të bëhej kështu. Andaj, në fund, kriminelët e luftës të shpallur fajtorë për gjenocid mbeten „heronj” të popullit të tyre, siç e dëshmojnë festimet për Ratko Mlladiqin (Ratko Mladić) në Republikën Srpska dhe Beograd në vitet e fundit.

 

Milan Milanoviq (Milan Milanović) përpiqet të shpjegojë pse TPNJ-ja ishte e destinuar të dështonte që në fillim, pasi që faktorët e etnifikimit dhe polarizimit të shoqërisë nuk është se u zhdukën me përfundimin e luftërave. Ai i përmbledh gjetjet e tij me faktorët parashikues të mëposhtëm: Kohezioni i grupeve etnike dhe polarizimi mbetën të pandryshuar. Dhe, për mendimin tim, edhe për shkak të aranzhimeve të rrepta institucionale për ndarjen e pushtetit si në Bosnjë dhe Hercegovinë ashtu edhe në Kosovë, të cilat i „çimentojnë” ndarjet etnike të shoqërisë. Për më tepër, në konfliktet e nxitura nga etno-nacionalizmi, vazhdimësia e elitës kërkon ruajtjen e narrativave të ngulitura nacionaliste. Kryeministri dhe më pas president i Republikës së Serbisë nga viti 2014 e tutje, Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vučić), ishte ish-ministër i Informacionit në regjimin e Millosheviqit; po ashtu Bakir Izetbegoviç (Bakir Izetbegović), djali i presidentit boshnjak të kohës së luftës, Alija Izetbegoviç (Alija Izetbegović), si dhe kryeministri dhe presidenti Hashim Thaçi, një nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), mund të shërbejnë si shembuj të mirë për këtë vazhdimësi të elitave. Për fund, ka një trend drejt autoritarizmit, duke përfshirë kërcënimet kundër pikëpamjeve alternative të shprehura në media dhe edukim publik dhe shtypjen e tyre, e që në rastin më të mirë kjo çon në margjinalizimin e një „opozite parlamentare” të dobët dhe të fragmentuar, por në rastin më të keq në zhdukjen e plotë të pluralizmit politik. Milanoviq vjen kështu në përfundimin paraprak: „Ekziston, me fjalë të tjera, gjithmonë një lloj narrative grupore tek e cila kapen anshmëritë kognitive – çfarë ndryshon është ajo se që bëjnë personat në pushtet me këto anshmëri. Në rastin më të keq, siç ndodhi në ish-Jugosllavi, ata do të lehtësojnë krijimin e realiteteve specifike të grupeve, në të cilat puna e gjykatës apo tribunalit penal ndërkombëtar të diskredituar nga elita do të jetë e paaftë për të depërtuar.”

 

Për më tepër, siç analizohet më hollësisht në literaturën akademike, ky ishte dhe është problem jo vetëm i procedurave të gjykatave dhe programeve të informimit, por edhe i donatorëve ndërkombëtarë si SHBA dhe BE, si dhe pasqyrojnë ideologjitë e reja nacionaliste të elitat politike të shteteve pasardhëse dhe regresin e tyre demokratik si pasojë e populizmit nacionalist-autoritar dhe për rrjedhojë mungesën e mbështetjes së tribunaleve ndërkombëtare nga qeveritë, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Problematike është edhe mungesa e mbështetjes efektive e shoqërisë civile nga qeveritë apo donatorët ndërkombëtarë për ta kapërcyer të menduarit binar etno-nacionalist dhe fashist në terma të „ne kundër armiqve” (C. Schmitt). 

 

Së fundi, synimi i dytë i kësaj parathënie është të trajtohen sfidat mbi mënyrat se si duhet të ofrohet mësimdhënia e historisë së luftërave të viteve 1990-a, çfarë përbën problem për mbështetjen e drejtësisë tranzicionale përmes pajtimit. Siç ka raportuar Edith Marko-Stöckl në vitin 2010, qasja e parë e përdorur nga OSBE-ja në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte t’i nxinte fjalët, fjalitë ose paragrafët e inkriminuar në tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Ashtu siç mund të imagjinohej, kjo madje rriti kureshtjen e nxënësve për t’i zbuluar „vetë” ato „fakte” që nuk kishin leje t’i lexonin. Kështu, nën drejtimin e OSBE-së, në vitin 2004 u krijua një komision lokal për zhvillimin e udhëzimeve për shkrimin e teksteve shkollore për lëndën e historisë dhe gjeografisë, i cili përfundimisht botoi „Udhëzuesin për shkrimin dhe vlerësimin e teksteve të historisë për shkollat fillore dhe të mesme në Bosnjë dhe Hercegovinë” që kërkonte zbatimin e parimit të këndvështrimeve të shumëfishta për t’u mundësuar nxënësve të mësojnë tolerancën.

 

Sidoqoftë, një studim i kohëve të fundit mbi materialet për mësimdhënie të historisë për raportin e OSBE-së „për mësimnxënien dhe mësimdhënien në lidhje me periudhën 1992 – 1995 në shkollat fillore në mbarë Bosnjë dhe Hercegovinën”, paraqet rezultate demoralizuese. Autorja thekson gjetjet e saj kyçe të konstatuara më shumë se njëzet e pesë vjet pas përfundimit të luftës:

„ ... • Tekstet dhe materialet e mësimdhënies të analizuara janë etnocentrike dhe zhvillojnë tre narrativa që përjashtojnë njëra-tjetrën.

• … [Ato] kontribuojnë në politizimin dhe instrumentalizimin e së shkuarës në vend të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pajtimit.

• Të gjitha i rrëfejnë vitet 1990 të mbushura me konflikte pothuajse ekskluzivisht si vite të viktimizimit ‘të tyre’, promovojnë dhimbsurinë vetëm ndaj popullit ‘të tyre’, si dhe e portretizojnë palën 'tjetër’ pothuajse ekskluzivisht si kryes të dhunës.

• Zbatimi i këndvështrimeve të shumëfishta dhe rezultateve përkatëse të të nxënit nuk është qasje mbizotëruese në asnjë nga tekstet shkollore dhe materialet e mësimdhënies të analizuara.

• Aty ku janë të pranishme, këndvështrimet e shumëfishta dhe të menduarit kritik nuk janë të dizajnuara për të sfiduar veprimet e anëtarëve të popullit ‘të cilit i përkasin’ nxënësit.” 

 

Fatkeqësisht, raportet për mësimdhënien e historisë në Kosovë dalin me të njëjtat rezultate me konstatimin se arsimi kosovar i historisë ka nevojë për ndryshim. Këto raporte duhen parë si paralajmërim! Përfundimi i vetëm, të cilin të gjithë akterët ndërkombëtarë, jo vetëm OSBE-ja, por edhe organet e ndryshme të BE-së, e kanë të vështirë ta shmangin është se: Në kundërshtim me të gjitha rekomandimet dhe udhëzimet ndërkombëtare për qasjen me këndvështrime të shumëfishta dhe të menduarit kritik, hakmarrja gjeneracionale është e ngulitur te nxënësit edhe sot e kësaj dite, duke krijuar terrenin për spirale të ripërtëritura të konflikteve të dhunshme.

 

Si analizë finale, bashkëpunimi me nacionalistët autoritarë nuk është garanci për stabilitet politik, por pikërisht e kundërta! Tanimë nuk na duhet një dizajn institucional edhe më i rafinuar për ndarje të pushtetit me kuota etnike, por riedukim në të gjitha nivelet për të shpjeguar avantazhet e sundimit të ligjit bazuar në të drejtat e njeriut dhe të pakicave nga një sistem gjyqësor që është efektiv, i pavarur dhe i paanshëm politikisht dhe etnikisht, si parakusht për shoqëri multietnike, siç proklamohet për Kosovën në nenin 3 të Kushtetutës së saj. Andaj, jam optimist se raporti im si dëshmitar ekspert, përmes analizës së tij gjithëpërfshirëse dhe me shumë faktorë, mund të kontribuojë në qasjen e kërkuar të këndvështrimeve të shumëfishta për të menduarit kritik edhe në përpjekjet e ardhshme në edukim.

 

Asset Publisher

comment-portlet

Asset Publisher

Asset Publisher

Asset Publisher