Konsumimi i përditshëm i shumë artikujve ushqimorë, konkretisht marrja e lëndëve ushqyese, e mbështesin funksionimin e organizmit. Në kultura të ndryshme, ushqimi dihet gjithashtu se i mbledh njerëzit rreth një tavoline të vetme si një mjet për ndërveprim shoqëror. Përveç të qenit një domosdoshmëri dhe një mjet për ndërveprim social, ushqimi është bërë gjithashtu një burim i të ardhurave për shumë anëtarë të komuniteteve në viset urbane dhe rurale. Por derisa këta artikuj ushqimorë të na shërbehen për konsum, ato i nënshtrohen një sistemi kompleks të referuar si sistemi ushqimor. Një sistem ushqimor përfshinë “zinxhirët e aktiviteteve të tregut dhe jo të tregut dhe akterët që e lidhin prodhimin e ushqimit, grumbullimin, transportin dhe ruajtjen, përpunimin dhe furnizimin, shpërndarjen, përgatitjen dhe konsumin”. Megjithatë, sistemet ushqimore shkojnë përtej këtyre aktiviteteve, si menaxhimi i mbetjeve ushqimore dhe i humbjes së ushqimit, ambalazhimi, plehrat, etj. Të gjitha këto aktivitete dhe akterë që ndërveprojnë me njëri-tjetrin krijojnë një sistem shumë kompleks i cili në shumicën e rasteve (siç vërehet në mbarë botën) nuk është i qëndrueshëm. Pra, sfida e madhe e dekadës së fundit është se si mund t’i transformojmë sistemet ushqimore konvencionale në ato që janë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Kjo sfidë është e pranishme edhe në Kosovë. Sistemi ushqimor përballet me shumë pengesa, si mungesa e monitorimit të prodhimit të ushqimit, artikuj ushqimor të përpunuar së tepërmi që nuk promovojnë ndonjë dietë të shëndetshme dhe ushqyese, menaxhim i dobët i mbeturinave ushqimore, për të përmendur disa prej tyre. Kjo shkakton probleme në 3 dimensione, në atë social, ekonomik dhe mjedisor. Prodhimi dhe konsumi i qëndrueshëm i ushqimit, krahas zhvillimit të viseve rurale dhe fermerëve, parashihen edhe në marrëveshjet dhe deklaratat rajonale për Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova. Ky publikim do të analizojë problemet dhe sfidat e Kosovës në këtë drejtim dhe do të ofron rekomandime se çfarë mund të bëhet për avancimin e kësaj çështjeje.